TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një tjetër koncesion, apo siç njihen ndryshe PPP. Qeveria shqiptare ka miratuar një koncesion të ri në fushën e shpërndarjes së karburanteve. Pas markimit tyre, në duart e privatit pritet të kalojë edhe kolaudimi i pompave të karburanteve.
Aktualisht ky shërbim kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, një institucion në varësi të Ministrisë së Financave. Referuar vendimit të qeverisë, procedura e kolaudimit të pompave do t’i kalojë një kompanie private për një periudhe 20 vjeçare.
Në mbledhjen e së mërkurës qeveria i ka dhënë dhe një bonus prej 10 pikësh kompanisë Noa Control, e cila ka propozuar koncesionin në fjalë. Bonusi i jep avantazh në tender kompanisë që është vetofruar për të marrë përsipër kontrollin e pompave të karburanteve.
Noa Control është krijuar 3 vite me parë dhe sipas ekstraktit të qendrës kombëtare të biznesit është në pronësi të Gentian Sulës. Aktualisht, Drejtoria e Metrologjisë kolaudon dy herë në vit pompat në pikat e karburanteve për të kontrolluar peshën dhe disa elemente të sigurisë së karburanteve.
Kompanitë që marrin shërbimin e saj duhet të paguajnë një tarifë shërbimi prej 7 mijë lekësh të reja. Në total shërbimi gjeneron 2.5 milionë euro të ardhura vjetore. Ende nuk është e qartë se cili do të jetë ndikimi i këtij shërbimi në çmimin e karburanteve në Shqipëri i cili është ndër më të lartit në rajon.
Emri i Gentian Sulës u përmend dhe në koncesionin e famshëm të targave me çip. Në vitin 2016, sipërmarrësja Fitnete Sulaj, presidente edhe e një shoqate për Sigurinë Rrugore, i kërkon ministrisë së Transporteve koncesionin e targave me çip-një projekt 35 vjeçar që do t’i kushtonte të paktën 48 euro çdo drejtuesi makine, ndërsa ngrinte pikëpyetje për cënimin e privatësisë.
Në atë kohë, Porta Saber Albania ishte kompania e themeluar më 20 prill 2015 që donte të merrte këtë koncesion. Kompania administrohej nga Fitnete Sulaj, sipërmarrëse e hershme në fushën e Sigurimeve. Kompania zotërohej në 80 për qind të aksioneve nga Gentian Sula, djali i administratores, ndërsa 20 për qind të aksioneve i kishte kompania portugeze Porta Saber./ Gsh.al