TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Krimi në familje trondit Durrësin. Një 25-vjeçar me origjinë nga Dibra ka masakruar me thikë prindërit e tij të moshuar. Bëhet fjalë për 75-vjeçarin Destan Neziri dhe 64-vjeçaren Hasije Neziri, të cilët kanë përfunduar në gjendje të rëndë në spitalin e qytetit bregdetar. Mësohet se bashkëshortët Neziri kanë marrë plagë të shumta dhe ndodhen në reanimacion nën kujdesin e mjekëve. Vetëm një orë më pas, autori i krimit Hajri Neziri është arrestuar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qa-rkut të Durrësit bënë me dije se ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:45 të ditës së djeshme në lagjen nr. 17 (në zonën e ish-Kënetës) të këtij qyteti. Menjëherë pas sinjalizimit për plagosjen e dy personave, policia ka shkuar në banesën trekatëshe të familjes Neziri dhe ka nisur hetimin për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Ndërkohë, fqinjët e kësaj familjeje deklaruan për “Gazeta Shqiptare” se kanë parë tmerr me sy dhe se banesa e çiftit Neziri si dhe rrugica janë larë me gjak. Gjithashtu, fqinjët u shprehën se kanë dëgjuar ulërimat dhe thirrjet e dy të moshuarve, të cilët kishin dalë zvarrë nga banesa e tyre dhe kërkonin ndihmë.
NGJARJA
Nuk ka të ndalur dhuna në familje. Pas ngjarjes së ndodhur në tregun e Milotit, ku gruaja vrau burrin me 4 plumba pistolete dhe ngjarjes së ndodhur në Memaliaj ku burri goditi gruan e tij 57 vjeçe me sqepar, rasti më i fundit u shënua pasditen e djeshme në qytetin e Durrësit. Mësohet se 25-vjeçari Hajri Neziri fillimisht ka debatuar ashpër me prindërit dhe më pas sherri ka degjeneruar në sulm me thikë. Në sherr e sipër, djali i vogël i familjes Neziri ka goditur disa herë nënën dhe babain, duke u shkaktuar plagë të shumta. Burime nga vendngjarja flasin për një masakër të vërtetë. Mësohet se 64-vjeçarja Hasije Neziri është goditur 6 herë me thikë në bark. Ndërsa bashkëshorti 75-vjeçar, Destan Neziri ka marrë një goditje thike në qafë (plagë e rëndë) dhe një në fytyrë. Pas krimit, autori Hajri Neziri është larguar së bashku me vajzën me të cilën bashkëjetonte prej disa kohësh. I riu u kap një orë pas krimit në Tiranë. Burime për “GSH” thanë se 25-vjeçari është paraqitur i lënduar (shoqërohej nga bashkëjetuesja) në spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa është lajmëruar policia, e cila e ka arrestuar. Aktualisht ai po merr mjekim për lëndimet që ka në trup (dyshohet nga konflikti me prindërit), ndërsa më pas do të transferohet në Durrës nga policia për t’u marrë në pyetje. Nga të dhënat paraprake, ka dyshime se pjesë e konfliktit të ketë qenë edhe dashura e 25-vjeçarit. Ndonëse ngjarja është ende e paqartë, ka dyshime se prindërit nuk ishin dakord për lidhjen e dy të rinjve. Sakaq, policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.