AKTUALITET, 2 Gusht 2018, 18:06

Një ditë pasi kaloi vettingun, enigmë vetëvrasja e gruas së gjyqtarit Dritan Hallunaj

Një ditë pasi kaloi vettingun, enigmë vetëvrasja e gruas

Gëzimi i gjyqtarit Dritan Hallunaj për kalimin me sukses të vettingut nuk zgjati shumë. Një ditë pasi ai u rikonfirmua në detyrë, bashkëshortja e tij i dha fund jetës duke u vetëvrarë. Enkeleda Hallunaj, 37 vjeç, u hodh nga kati i pestë i një pallati në zonën e ish-bllokut në kryeqytet.

Gruaja me profesion stomatologe dhe që punonte pranë Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës, ka qenë e vetme në shtëpi kur ndodhi ngjarja e rëndë. Fqinjët thanë për mediat se dëgjuan një zhurmë të fortë dhe menjëherë dolën jashtë për të parë çfarë kishte ndodhur, teksa trupi i 37-vjeçares kishte prekur tokën.

‘Kemi dëgjuar një zhurmë, ishte aq e fortë sa nuk e menduam se ishte një trup njeriu. Ka qenë vetëm në shtëpi, sepse nuk kemi parë njerëz të tjerë të dalin. Kanë qenë disa kalimtarë duke kaluar, janë tromaksur. Ne lajmëruam policinë menjëherë’, tha një prej fqinjëve.

Në vendngjarje mbërriti policia, autoambulanca dhe kolegë të gjyqtarit Hallunaj, i cili ndodhej në Shkodër kur ka ndodhur ngjarja. Mbase për të ndarë me familjarë dhe të afërm gëzimin për kalimin me sukses të provës së vettingut. Enkeleda Hallunaj ishte nëna e një vajze 7 vjeçe.

Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta. Dyshohet se ajo ka kryer aktin e rëndë të vetëflijimit në kushtet e një depresioni të thellë. Mesditën e sotme Partia Demokratike kishte përgatitur një tjetër dalje për mediat nga selia blu, ku do të denonconte sërish gjyqtarin e Krimeve të Rënda, Dritan Hallunaj. Një ditë më parë PD akuzoi Hallunajn si gjyqtarin që liroi nga burgu Arben Frokun.

“Konfirmimi ne detyrë sot i gjyqtarit te Krimeve te Renda, Dritan Hallunaj, përgjegjës për lirimin nga burgu te mikut te Rames te Arben Frrokut, vrasësit te komisarit Dritan Lamaj është kambanë alarmi për sistemin e ri te drejtësisë dhe prove e qarte se vetingu nuk po ndëshkon prokurore e gjyqtare te korruptuar dhe ata te lidhur me krimin e organizuar”, thuhej në deklaratën e PD-së një ditë më parë.

Ndërkohë pas ngjarjes së rëndë me bashkëshorten e gjyqtarit Hallunaj, PD e anuloi konferencën e sotme për mediat. Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të vdekjes së Enkeleda Hallunajt.