AKTUALITET, 3 Prill 2018, 23:26

Ndeshje me emocion në Spanjë, në fund feston Bajerni

Ndeshje me emocion në Spanjë, në fund feston Bajerni

Bajern Mynih ka hedhur një hap të sigurt drejt gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve pasi ka marrë një fitore 2-1 në transfertë në takimin përballë Seviljes.  Skuadra e Jup Hejnkes  ka djersitur jo pak në këtë transfertë në Spanjë dhe do të duhet të tregohet e kujdesshme në duelin e kthimit.

Ekipi i drejtuar nga Vinçenco Montela ka dhuruar një lojë shumë cilësore dhe ka krijuar mjaft raste të mira shënimi në këtë ndeshje, duke arritur edhe të gjente i pari rrjetën me anë të Sarabia, pasi kishte kaluar gjysmë ore lojë. Por Bajerni gjeti shumë shpejt barazimin falë një devijimi fatkeq të Navas ndaj goditjes së Riberi, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej në barazimin 1-1.

Pjesa e dytë ishte po aq argëtuese sa e para, me raste të në të dy portat. Por ishte përsëri një devijim me fat ai që i dha Bajernit golin e avantazhit, kur goditja e Tiago Alkantara u devijua në rrjetë nga Eskudero. Rezultati 2-1 nuk ndryshoi më deri në vërshëllimën përfundimtare dhe i dha mundësinë Bajernit që të kthehet në Gjermani me një avantazh të rëndësishëm që duhet administruar në takimin e kthimit.