AKTUALITET, 27 Nëntor 2020, 22:16

Ndarja nga jeta e ish trajnerit të Kombëtares në Peshëngritje, Meta: Ngriti këtë sport në nivelet më të larta ndërkombëtare

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar, pas lajmit se ka ndërruar jetë ish trajneri i Partizanit dhe ekipit kombëtar për peshëngritjen Haki Agalliu.

Meta shprehet se lajmi për ndarjen nga jeta të profesor Agalliut është i trishtë, kurse shton se Agalliu ngriti peshëngritjen në nivelet më të larta ndërkombëtare.

Postimi i presidentit Ilir Meta:

Lajmi për ndarjen nga jeta të Prof.Haki Agalliut, është i dhimbshëm për të gjithë ata, të cilët punuan dhe e njohën nga afër përmbi 6 dekada, në shërbim të sportit dhe peshëngritjes në veçanti.

Ai i përket asaj plejade trajnerësh, të cilët e ngritën peshëngritjen tonë në nivelet më të larta ndërkombëtare.

Emrat e shumë kampionëve dhe rekordmenëve lidhen edhe me punën e përkushtimin e Tij të admirueshëm, po kështu edhe shumë arritje në kompeticionet ndërkombëtare.

Ka qenë kënaqësi dhe privilegj ta njihja, por edhe të mësoja prej urtësisë të Tij.

Ngushëllimet më të sinqerta Familjes Agalliu, të gjithë miqve dhe dashamirësve të Tij.