AKTUALITET, 27 Nëntor 2020, 19:07

Këshilli Bashkiak i Kukësit i heq titullin “Qytetar Nderi” Veton Surroit

Publicistit dhe politikanit kosovar Veton Surroi i është hequr titulli “ Nderi i Qarkut Kukës” i dhënë nga Këshilli i Qarkut Kukës në vitin 2015. Vendimi është marrë nga Këshilli i Qarkut Kukës, në mbledhjen e radhës të mbajtur të premten.

Sipas kryetarit të Këshillit, Abdulla Domi, vendimi është marrë si rrjedhojë e kërkesës drejtuar Këshillit të Qarkut nga dy intelektualë të Kukësit ,të cilët sipas Domit kanë paraqitur edhe argumentet përkatës.

Ndërsa, për kryebashkiakun e Kukësit Safet Gjicin, njëkohësisht anëtar i Këshillit të Qarkut heqja e titullit është më së e arsyeshme për shkak të fushatës mediatike dhe politike që Veton Surroi po bën kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ai po bën fushat politike, mediatike kundra ushtarëve dhe ne nuk mund ta pranojmë këtë ‘Nder i Qarkut. Çfarë deri është ku? Duhet ta heqim sot dhe le të shkojë ta çojë në gjykatë”, shprehet Gjici.

Por në një reagim në rrjetet sociale, ai zgjodhi të kërkojë ndjesë duke e konsideruar veprim të nxitur mbledhjen e zhvilluar.

Postimi në Facebook:

Në emër të Bashkisë Kukës kërkoj ndjesë për veprimin e nxituar sot në Këshillin e Qarkut, lidhur me vendimmarrjen për heqjen e Titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit, pas kërkesës së 57 familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së!

Duke u ndjerë shumë pranë atyre familjeve dhe dhimbjes së tyre në raport me këtë kohë lëndimesh për UÇK nuk e menduam më gjatë kërkesën e tyre emocionale.

Safet Gjici, kryetar i Bashkisë Kukës.

Këshilli i Qarkut Kukës, në vitin 2015 me propozim te Klubit letrar “Anton Pashku”, Kukës, vlerësoi personalitetin e njohur, Veton Surroi, me titullin e lartë “Nderi i Qarkut Kukës” me motivin “Për kontribut të veçantë në fushën mediale dhe politike gjatë krizës së vitit 1999 dhe shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”.

Kujtojmë se Veton Surroi ka deklaruar se UÇK nuk ishte ushtri çlirimtare, por një pakicë politike.