LIFESTYLE, 9 Mars 2019, 19:13

Ndahet nga jeta Carmine Persico, bossi i mafias së New York-ut/ FOTO

Ndahet nga jeta Carmine Persico, i njohur si shefi i një bande krimi në New York.

Perciso ka humbur jetën si pasojë e komplikimeve nga diabeti, pasi kishte kryer 33 vite burg, nga 139 vite që ishte dënuar në total.

“BBC” shkruan se Perciso ka lënë pas gruan, dy fëmijë dhe 15 nipër e mbesa.

85-vjeçari Carmine Persico njihej me nofkën “Gjarpri”, nofkë të cilën thuhet se ai e urrente.

Mendohet se Persico e ka vazhduar aktivitetin e tij kriminal edhe prapa hekurave të qelisë, duke e bërë atë udhëheqës të një prej periudhave më të gjata të krimit në histori.

Persico lindi në Bruklin në vitin 1933, ishte djali i stenografit të një firme ligjore.

Para se vitet e tij të adoleshencës të mbaronin, ai ishte arrestuar për vrasje.

Persico braktisi shkollën e mesme, për t’u bërë udhëheqës i një bande rruge dhe ishte vetëm 17 vjeç kur u arrestua, pasi kishte rrahur për vdekje një të ri gjatë një përleshjeje në park.

Ai përparoi në karrierën e tij në krim, duke u bërë pjesë e organizatës “Colombo,” një nga pesë “familjet” e mafias italiano-amerikane në New York në atë kohë dhe udhëheqës i saj në vitet 1970.

Persico raportohet se ka qenë i përfshirë në më shumë se 20 vrasje, ose duke i kryer vrasjet vetë ose duke dhënë urdhrin.