SPORT, 11 Tetor 2020, 23:22

Nations League/ Sfida e “yjeve” mbyllet pa fitues, Italia barazon në Poloni

Nations League/ Sfida e “yjeve” mbyllet pa fitues, Italia barazon

Kampionia në fuqi e Botës përballë kampiones në fuqi të Europës. Mbappe e Giezmann kundër Cristiano Ronaldos dhe Joao Felix. Një 90-minutësh perfekt për të dhuruar spektakël, por që fatkeqësisht nuk pati qoftë një gol.

Francë-Portugali, e zhvilluar në “Stade de France”, e vlefshme për Grupin 3 në Divizionin A të “Nations League”, përfundoi 0-0, edhe pse rastet, sidomos në fundin e takimin, nuk munguan. Të dyja skuadrat kryesojnë me nga 7 pikë, por luzitanët janë të parët falë golaverazhit më të mirë.

Me të njëjtin rezultat 0-0 u mbyll edhe përballja mes Polonisë dhe Italisë në Grupin 1, me të kaltrit që humbën një shans për t’u shkëputur në krye, por gjithsesi mbeten të parët me një pikë më shumë se Holanda dhe Polonia.

Në Divizionin B, Izraeli u mposht 1-2 nga Republika Çeke, Irlanda e Verit gjithashtu humbi në shtëpi 0-1 me Austrinë, Rusi – Turqi përfundoi 1-1, ndërsa Skocia fitoi 1-0 me Sllovakinë. Serbia, çuditërisht dështoi të merrte pikë në shtëpi përballë Hungarisë me rezultatin 0-1.