AKTUALITET, 26 October 2026, 15:16

Ekzekutimi që tronditi Dukagjinin, merret i pandehur kryeplaku, dyshohet se vrau të afërmin për parcelën me hashash

Ekzekutimi që tronditi Dukagjinin, merret i pandehur kryeplaku, dyshohet se

Ndoc Macaj, kryeplak në fshati Abat të Shalës në zonën e Shkodrës (kur ndodhi krimi) është marrë i pandehur për akuzën e “Vrasjes me dashje”, pasi në muajin Gusht 2025 ekzekutoi me armë zjarri bashkëfshatarin e tij, Piro Prroni.

Sipas hetimeve të kryera nga prokuroria, ka rezultuar se një parcelë me drogë është bërë shkaku kryesor për vrasjen me dy plumba pistolete të Piro Prronit. Pas kryerjes së vrasjes, kryeplaku i fshatit Abat, Ndoc Macaj është vetëdorëzuar në DVP Shkodër.

Ai ka pranuar autorësinë e krimit por ka argumentuar se një veprim të tillë e ka kryer për tu vetëmbrojtur, pasi viktima Piro Prroni po e sulmonte me një hanxhar që kishte me vetë dhe thikë.

Gjithçka ka ndodhur për kultivimin e disa rrënjëve me drogë në zonën e quajtur “Pushime”, tokë e cila i përket autorit të krimit Ndoc Macaj.

Pas hetimeve të kryera lidhur me zbardhjen e vrasjes, Policia paralelisht ka zbuluar dhe parcelën me drogë duke asgjësuar me zjarr të gjitha rrënjët. Ndërsa, pesë bimë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale më qëllim ekzaminimin në laborator.

Aktualisht çështja penale është në gjykim nga gjyqtarja Eni Naqellari. Autori Ndoc Macaj dhe Piro Prroni ishin të afërm me njëri-tjetrin.