AKTUALITET, 21 Qershor 2019, 11:10

Nard Ndoka “shpërthen” ndaj Borchardt: A nuk të vjen turp? Reflekto dhe kthjellohu për zgjedhjet

Nard Ndoka “shpërthen” ndaj Borchardt: A nuk të vjen turp?


Nard Ndoka, kreu i PDK-së i ka bërë së fundmi thirrje ambasadorit të OSBE-së në vendin tonë Bernd Borchardt, që të reflektojë dhe të mos mbështesë lëvizjen antikushtetuese të kryeministrit Edi Rama për të zhvilluar zgjedhje në 30 Qershor.

Ndaj ambasadorit të OSBE-së ai është shprehur: “Z.Ambasador, a të vjen turp?!”.

Postimi i Ndokës:

Z.Ambasador, a të vjen turp?!

Ambasadori i OSBE-së nuk njeh dhe nuk respekton Dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë! Ambasadori i OSBE-së nuk bën thirrje për ndërprerjen e punës në KZAZ, pasi zgjedhjet ligjërisht nuk do të mbahen më 30 Qershor.

Ambasadori bën thirrje për vazhdimin e punës, injoron protestat qytetare, provokon opozitën, fyen Presidentin e Republikës me veprimet dhe deklarimet e tij publike.

Ambasadori nuk flet, kur mediat ndërkombëtare flasin për krimin elektoral në Shqipëri, përkundrazi gjen momentin dhe i fut ndonjë xhufkë për të tërhequr vëmendjen.

Ambasadori nuk flet, kur Policia e Shtetit godet qytetarët shqiptarë me gaz helmues, kur ata protestojnë për lirinë e tyre, përkundrazi i bën thirrje qytetarëve që të përmbahen.

Ambasadori, as nuk skuqet, as nuk zverdhet, as nuk i vjen turp, që institucioni që përfaqëson është bërë palë në aventurën politike të Edi Ramës. Zoti Ambasador, përmendu, kthjellohu, reflekto, drejtohu politikës shqiptare, drejtohu Kryeministrit, Liderit të Opozitës, respekto institucionin e Presidentit të Republikës.

Ne akoma kemi besim tek Ju dhe institucioni që ju përfaqësoni në Shqipëri, në OSBE!

Po ju presim!

Sot në orën 20:00 opozita e bashkuar do të zhvillojë protestën e saj të 9 -të kombëtare. Nuk dihet ende sesa do të zgjasë kjo protestë. Basha bën thirrje që qytetarët të jenë sot prezentë në protestë.

Gardhe hekuri, 1500 forca policie në terren janë disa nga masat e policisë.