AKTUALITET, 21 Qershor 2019, 09:20

Opozita sot në protestë, Lulzim Basha: Ja çfarë do të ndodhë

Opozita sot në protestë, Lulzim Basha: Ja çfarë do të


Opozita do mbajë sot protestën e saj të radhës në orën 20:00.

Kreu i demokratëve Lulzim Basha ka paralajmëruar një tubim paqësor mbrëmjen e së premtes (21 qershor).

Përmes studiove televizive, ai përcolli mesazhin se regjimi i Ramës ka mbaruar dhe se nesër nuk do të ketë asnjë episod dhune.

Basha apeloi shqiptarët të dalin nw protestw me familjen. Ndërsa shtoi se do jetë aty së bashku me gruan dhe dy vajzat e mia.

Apeli i ambasadës amerikane:

Ambasada e SHBA i bëri thirrje gjithë qytetarëve dhe të gjitha institucioneve kudo në Shqipëri që të mbështesin parimet e sundimit të ligjit, të refuzojnë dhunën në të gjitha format e saj, si dhe të ushtrojnë paqësisht të drejtat e tyre demokratike ndërkohë që lejojnë bashkëqytetarët e tyre të bëjnë të njëjtën gjë.

Miting dhe antimiting në Shkodër

Ndërkohë mbrëmja e së enjtes kaloi mes tensioneve në Shkodër, me tubimin elektoral të Partisë Socialiste nga njëra anë në kuadër të zgjedhjeve të 30 qershorit dhe protestën e opozitës vetëm pak metra larg, që kërkonte largimin e kryeministrit Edi Rama.

Bashkia e Shkodrës refuzoi ti jepte leje Partisë Socialiste për zhvillimin e tubimit elektoral të socialistëve në një nga sheshet e qytetit, por kryeministri Edi Rama e sfidoi bashkinë.

Tubimet u mbajtën në një situatë të tensionuar, ku policia përdori gazin lotsjellës kundër protestuesve, të cilët u përpoqën të marshonin drejt vendit ku do të fliste kryeministri.

Pati të lënduar në radhët e protestuesve dhe policisë.

Rama në fjalimin e tij premtoi para shkodranëve transformim të qytetit në katër vitet e ardhshme dhe tha se kjo do të ishte sfida e tij personale.

Ai ju referua Voltana Ademit si kryetarja më e paaftë e bashkisë në histori, teksa nuk harroi të përsërisë vendosmërinë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 30 qershor.

Ndërkaq, mbështetësit e opozitës kërkonin largimin e qeverisë dhe të Kryeministrit Rama, duke thënë se nuk do t'u nënshtrohen kriminelëve.

Ademi i bëri thirrje policisë për mbështetje dhe u kërkoi protestuesve të mos godasin policinë.