AKTUALITET, 21 Maj 2019, 17:51

“Mos pranoni asnjë diktator mbi vete…”, Basha thirrje shqiptarëve 46 vjet pas revoltës së Spaçit

“Mos pranoni asnjë diktator mbi vete…”, Basha thirrje


Kryedemokrati Lulzim Basha ka kujtuar revoltën e Spaçit në 46-vjetorin e saj.

Basha shprehet se është krenar për këtë betejë, duke ftuar çdo shqiptar që e do Shqipërinë të lirë nga diktatura e krimit, të mos pranojë asnjë diktator që mban peng të ardhmen europiane.

Postimi i Bashës në Facebook

Sot kujtojmë me nderimin më të thellë revoltën madhështore të Spaçit! Ato 2 ditë lirie në Burgun e Spaçit ishin më të rëndësishme se e gjithë propaganda e diktaturës sepse rrëfejnë betimin e shqiptarëve për të mos pranuar asnjëherë diktaturën dhe dhunën.

Ky betim është në fuqi edhe sot. Nuk ka ditë më domethënëse se 46-vjetori i revoltës së Spaçit, për të ftuar çdo shqiptar që e do Shqipërinë të lirë nga diktatura e krimit, që t’i qëndrojë besnik betimit për të mos pranuar mbi vete asnjë diktator apo karikaturë diktatori, që mban peng të ardhmen tonë Europiane.

Unë jam krenar që në këtë betejë, Partia Demokratike e Shqipërisë është në anën e duhur të historisë, është në nderim të vlerave për të cilat dhanë jetën heronjtë e Spaçit, është në ballë të saj për të mos bërë asnjë kompromis në rrugëtimin tonë drejt Europës.

Nderim përjetë Heronjve Kryengritës të Revoltës së Spaçit! Zoti bekoftë shpirtrat e tyre dhe çdo shqiptar që ngrihet kundër së keqes! #ShqipëriaSiEuropa