AKTUALITET, 18 Gusht 2019, 16:01

Mjete të parkuara mbi vizat e bardha dhe trotuar, në tri ditë 1350 raste shkeljesh

Mjete të parkuara mbi vizat e bardha dhe trotuar, në tri ditë

Ndonëse Policia ka shtuar masat për monitorimin e automjeteve gjatë këtij sezoni veror, ku edhe trafiku është tejet i rënduar pothuajse në të gjithë territorin, drejtuesit e mjeteve vazhdojnë të shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.

Në njoftimin e Policisë së Shtetit, bëhet me dije se në vetëm tri ditë, ka pasur 1350 raste shkeljesh të rregullave të qarkullimit rrugor në Tiranë të konstatuara nga ana e policisë rrugore.

Rastet e shkeljeve të rregullave në të shumtën e rasteve bëhen burim për aksidente me pasoja për jetën dhe shëndetin e përdoruesve apo qytetarëve.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Krahas patrullimeve me përzgjedhje, për evidentimin e shkeljeve, që janë burim i shtuar për aksidente me pasoja për jetën dhe shëndetin e përdoruesve, rrugorët e kryeqytetit, tre ditët e fundit kanë shtuar ndjeshëm prezencën dhe fokusin e patrullave, për evidentimin dhe dokumentimin e parkimeve të gabuara në kryeqytet.

Në sajë të këtyre patrullimeve, vetëm 72 orët e fundit janë konstatuar dhe proceduar administrativisht 1 350 mjete të ndryshme, për pushim dhe qëndrim të gabuar, kryesisht në trotuar, në vendet e rezervuara, në vendkalim këmbesorësh, në rresht të dytë etj.