AKTUALITET, 18 Gusht 2019, 13:37

Investojnë por nuk kanë fitim, fermerët drejt falimentit: Do ta lë këtë punë dhe do të kthehem në Greqi

Investojnë por nuk kanë fitim, fermerët drejt falimentit: Do ta


Fermerët në Lushnje ngrenë shqetësimin e mungesës së tregut dhe mbështetjes së qeverisë. Prodhimet bujqësore po i shesin nën kosto, ndërsa thonë se rrezikojnë falimentin.

Të ardhurat e emigrimit Mihal Qorri i ka investuar në këto fusha të Myzeqesë.

Kultivon perime, por shprehet se mungesa e tregut dhe çmimet e ulta po e çojnë drejt falimentit.

"Kam mbjell patëllxhanë, po e shes me arka. Nuk ka çmim. Sa për ta hedhur në kanal, më mirë e japim të hanë njerëzia pa lek".

Fermeri shprehet se ndër vite nuk ka përfituar asnjë ndihmë nga shteti, ndaj në këto kushte e vetmja rrugë për të është rikthimi në Greqi.

"Do ta lë këtë punë dhe do të kthehem edhe njëherë në Greqi."

Të njëjtin zhgënjim ka marrë edhe fermeri Vangjel Gjermeni nga Krutja e Lushnjës.

"Mollët e para që kam hequr i kam shitur me 250 lekë. Nuk këtë çmim nuk ke leverdi sepse kjo do 6-7 spërkatje, po plehrat, ujitjen".

Fermerët thonë se përpos mungesës së tregut vuajnë edhe mungesën e infrastrukturës apo asistencës nga specialistët e bujqësisë./ Ora News