AKTUALITET, 2 Mars 2019, 20:42

Milani fiton ndaj Sasuolos dhe kalon Interin

Milani fiton ndaj Sasuolos dhe kalon Interin

Milani ka bërë detyrën sot ndaj Sasuolos duke fituar 1-0 dhe duke i rrëmbyer vendin e tretë “kushërinjve” të Interit, për të përforcuar kandidaturën për një vend në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm. Skuadra e Gatuzos ka vuajtur jo pak për të siguruar këto tri pikë të rëndësishme që e afrojnë edhe më shumë me objektivin e këtij sezon, pasi ndeshja u vendos nga një autogol.

Në minutën e 35-të të ndeshjes, pas një goditje nga këndi ishte Lirola ai që e devijoi drejt katërkëndorit të portës së skuadrës së tij. Nga ana tjetër, Piotek ishte thuajse në hije, por gjithsesi dha kontributin e tij në ndeshjen e sotme duke u bërë protagonist i kartonit të kuq të portierit Konsilji në pjesën e dytë.

Gardiani i Sasuolos e ndali në mënyrë të parregullt sulmuesin polak dhe u desh të linte ekipin me 10 lojtarë në minutën e 64-t, duke ia bërë më të thjeshtë Milanit administrimin e lojës deri në vërshëllimën përfundimtare.