TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
I ftuar në studion e emision ‘Kjo Javë’ kreu i PDK-së, Nard Ndoka thotë se asnjëherë nuk e ka menduar të mos i bashkohet vendimit ekstrem politik të opozitës për të mos e dorëzuar mandatin e deputetit.
Ndoka thotë se opozita nuk mund të vijonte të ishte pjesë e një parlamenti ku të drejtat e saj ishin të mohuara, ku kryeministri nuk kishte lënë më hapësira për bashkëpunim me opozitën.
“Kryeministri sot qeveris pa gjykata, madje refuzon edhe kontrollin e lartë të shtetit të cilat janë dy kandidatura që i ka kthyer, është një institucion që e kontrollon kryeministrin dhe kabinetin e tij, një kryeministër që tashmë kërkon të kapë të gjithë shtetin, dhe në këtë sens opozita po mbante një kosto të madhe politike dhe morale.”
Për Ndokën vendimi i opozitës ka kostot e saj, pasi nuk ka një bashkëpunim institucional me maxhorancën.
“Propaganda e kryeministrit ishte aq e madhe sa qytetarët filluan ta quajnë edhe opozitën si bashkëfajtore, pra si dy pjesë të kalbura të këtij sistemi për faktin që ata mendonin se si një kryeministër i kapur duke vjedhur votat e tyre vijon të qeverisë akoma”, u shpreh Ndoka.
Ndoka sqaron se vendimi për dorëzimin e mandatit, diskutohej prej kohësh brenda opozitës dhe nuk ishte kryedemokrati Basha iniciator i saj.
“Basha është një politikan i një formati europian. Basha asnjëherë nuk e donte hapin ekstrem. Pasi gjithmonë ka tentuar të ketë një frymë kompromisi, konsensusi në politikën shqiptare e ka provuar një gjë të tillë edhe me marrëveshjen e famshme të 17 majit, pati jashtëzakonisht probleme për atë marrëveshje për faktin se ishte një marrëveshje krize dhe jo një marrëveshje e një logjike normale politike e një konsensusi të ngritur në mënyrë institucionale, në këtë sens nuk ka qenë Basha iniciator i djegies së mandateve, kanë qene shumë zëra brenda, kanë qenë edhe kryetarët e partive opozitare” u shpreh Ndoka.
Sa i takon plotësimit të vakancave në parlament, Ndoka thotë se Rama tashmë po luan lojën e matrapazëve, duke theksuar se ky është momenti për të njohur njerëzit.
“ I erdhi dita, që po vijon blerjen e mandateve. Sot kemi një parti politike me tre deputetë në parlament, partia e çamëve, dhe ia ka blerë të tre deputetët. Dhe këtë e ka bërë Edi Rama” – vijoi Ndoka. Për demokristianin Ndoka, tashmë është në fushën e tij.
Duke komentuar qëndrimin e deputetes Rudina Hajdari e cila ende nuk e ka dorëzuar mandatin e deputetes, Ndoka i kërkon asaj të mendojë pse PD e afroi në parti për t’u bërë deputete.
“Unë kam njohje të thella me znj. Hajdari. Kam qenë një mik dhe bashkëpunëtor me Azem Hajdarin, ajo thjesht përfaqëson një emblemë. Ajo thjesht duhet ta ketë të qartë se nuk vlerat e saj personale, se ishte një emër i panjohur por PD e afroi se përfaqësonte një emblemë të PD të historisë së kësaj partie dhe unë gjykoj e mendoj se Basha bëri mirë e futi në parlament. Sot është momenti për të treguar vlerat e veta. A do ta gjejë rrugën znj.Hajdari? Kjo është përgjegjësi e saj”,- deklaron Ndoka.
Lidhur me plotësimin e vakancave në Parlament, me deputetë të rinj, Ndoka thotë se kjo është një lojë e Edi Rama, ndërsa i thekson këtij të fundit se opozita nuk mund të zëvendësohet.
“Jemi përballë kolapsit më të madh të pluralizmit shqiptar dhe këtë e bëri Edi Rama”- tha Ndoka.