TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryeministri Edi Rama nuk ka shkuar në takim me Presidentin Ilir Meta në Presidencë, i ftuar për të diskutuar për zgjidhjen e krizës politike në vend.
Në vend të kësaj, Rama ka vazhduar takimet elektorale nëpër lokale me banorët e Tiranës dhe që nga njësia nr.4, ka deklaruar me ironi:
“Presidenti ka marrë drejtimin e opozitës. Dështon Luli, ndërhyn Iliri! – është shprehur Kryeministri. - Është fatkeqësi e madhe për institucionin por s’kemi çfarë bëjmë.
E thashë unë, erdhi dita që edhe Bujar Nishani të duket si Xhefersoni. Habi e madhe.
Kur bëmë marrëveshjen, që atëherë ishte e deklaruar nga të dy palët, edhe më kujtohet të nesërmen që po shkruanim pikat e marrëveshjes, ata të Presidencës "na merrni në telefon, na dërgoni letrat me formë të përbashkët që jeni dakord për shtyrjen e zgjedhjeve..."
E kërkonte me shkrim për të bërë këtë ndryshim.
Ky tjetri..."hapni vendin se do hidhem!". Edhe i hodhi benzinë zjarrit me atë marrëzinë e çfirmosjes së firmës së vet. Iu dha një motiv, sado absurd, po prapë për t’u kapur, këtyre që "ne do mbrojmë dekretin!". Sot e ka marrë përgjigjen shumë qartë ajo histori nga Kolegji Zgjedhor dhe është pa të drejtë ankimimi," është shprehur Rama.
Presidenti Meta i ka lënë një hapësirë të madhe kohore Ramës sot për të ardhur në takim, që nga ora 5:00 deri në orën 13:00 dhe u paraqit në zyrën e tij që në orën e caktuar.
Kryetari i PD, Lulzim Basha, iu përgjigj ftesës së kreut të shtetit dhe në orën 9:00, qe në takim me të për 25 minuta.
Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, po ashtu, shkoi në Presidencë në orën 10:00 dhe diskutoi me Metën mbi situatën politike.
Kryetarë të tjerë partish aleate të opozitës priten sot të diskutojnë njeri pas tjetrit me kreun e shtetit për zgjidhjen e ngërçit të krijuar.