AKTUALITET, 27 Qershor 2019, 11:08

“Paratë do paguhen nga PS apo qeveria?”, këshilltarja në qendrën europiane për lirinë e shtypit “fshikullon” Ramën: Na gënjeu në sy, ERTV rast i paprecedentë!

“Paratë do paguhen nga PS apo qeveria?”, këshilltarja


Flutura Kusari, këshilltare ligjore në Qendrën Europiane për Lirinë e Shprehjes, ka qenë në një lidhje me skype mëngjesin e sotëm në Fax News, ku ka komentuar padinë që kryeministri Rama do të ngrejë në drejtim të gazetarit të Bild Peter Tiede.

Kusari u shpreh se pavarësisht deklaratave të Ramës, në asnjë prej gjykatave gjermane nuk është depozituar ende padia ndaj Tiede.

Një javë më parë një delegacion i kësaj qendre për lirinë e medias ka qenë në Shqipëri, ku ka pasur dhe një takim me kryeministrin Rama, i cili iu kishte garantuar se nuk do të ngrinte asnjë padi në drejtim të gazetarëve, ndërkohë që ka ndryshuar mendim menjëherë më pas.

Gjatë vizitës në Shqipëri, Kusari tha se kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk kishte pranuar as që ti takonte, ndërkohë që e quajti tërësisht skandaloze faktin që gazetarët nuk lejohen në takimet elektorale, dhe gjithçka transmetohet me regjinë e ERTV-SË.

E pyetur nga gazetarja Armela Ferko si renditet media në Shqipëri, në raport me vendet e rajonit, Kusari tha se gazetarëve në Shqipëri iu mungon dhe solidariteti minimal mes kolegësh.

“Ende nuk ka një padi ndaj gazetës ‘Bild’, nuk e kuptoj pse duhej të nisej një proces ligjor, kur përgjimet janë konfirmuar nga vetë Kryeministri.

Do donim që Rama të mundësonte hetime të pavarura, ai duhet të mundësojë më shumë liri për shtypin. Është me rëndësi të dihet se kush paguan për paditë, do të paguajë PS apo do të paguajë qeveria, rrjedhimisht nga taksat e qytetarëve.

Nga vlerësimet del se nuk ka transparence, portalet online duhet të vetë- rregullohen. Ndaj medias përdoret një gjuhë denigruese, media quhet ‘kazan’ nga Rama dhe e ‘shitur’ nga Basha”, tha Kusari.

“Ne jemi të alarmuar që ky televizion, pra ERTV përdoret si kanal zyrtar për informimin e publikuar, gjë që i pamundëson gazetarëve që të tregojnë për pikëpamjet e tyre në lidhje me ngjarjet. Ka pasur raste kur gazetarët na kanë thënë që nuk lejohen që të mbulojnë aktivitetet e Ramës me kamerat e tyre.

Ne jemi duke monitoruar të gjithë vendet e rajonit, në përgjithësi në Ballkan situata e mediave është pjesërisht e lirë, mirëpo është e paprecedent rasti i Ertv-së, nuk kemi informata që kjo të ndodhë dhe në vende të tjera. Transparenca e politikanëve dhe institucioneve publike është shumë e rrezikshme.

Ka një nivel shumë të ulët të solidaritetit mes gazetarëve në Shqipëri, ne mësuam gjatë këtyre takimeve që në Shqipëri mungon solidariteti mes vetë kolegëve.

Në ato biseda nuk ka shkelje të privatësisë, janë çështje kryekëput që kanë të bëjnë me interesin publik, dhe nuk e di nëse paratë për këtë gjyq do të paguhen nga qeveria shqiptare apo nga Partia socialiste.

Gjykatat janë normalisht për lirinë e mediave, unë nuk mund të them nëse gazetari i ka kryer me përpikmëri detyrat e tij, po pika më e fortë e Tiede është fakti se vetë kryeministri i ka pranuar përgjimet”, përfundoi Kusari në fjalën e saj./Fax News