AKTUALITET, 14 July 2026, 12:18

Mesazhi/ Drejton prej 12 vitesh Sekretariatin për Çështjet Ligjore e Zgjedhore të PD, Kaso: Nuk do të rikandidoj sërish për këtë pozicion

Deputeti i PD, Ivi Kaso, ka njoftuar se nuk do të rikandidoj sërish për drejtimin e Sekretariatit për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore të Partisë Demokratike.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kaso ka deklaruar se ka marrë këtë vendim, pasi i duhet që të përkushtohet plotësisht në detyrat e deputetit, anëtarit të Kryesisë dhe nën Kryetarit të Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin, Mbikëqyrjen Institucionale.

Kaso ka shërbyer si drejtues i Sekretariatit për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore të Partisë Demokratike për 3 mandate, pra për 12 vite.

Reagimi i Ivi Kasos:

Të dashur miq,

Pas 12 vitesh dhe 3 mandatesh të njëpasnjëshme në drejtimin e Sekretariatit për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore të Partisë Demokratike, nuk do të rikadidoj përsëri për të njëjtin pozicion, pasi më duhet të përkushtohem plotësisht në detyrat e deputetit, anëtarit të Kryesisë dhe nën Kryetarit të Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin, Mbikëqyrjen Institucionale.

Gjatë këtyre 12 viteve, sfidat dhe betejat nuk kanë munguar. Dhe betejën më të vështirë dhe më të rëndësishme, atë të rikthimit tek demokratët të simboleve dhe flamurit të Partisë Demokratike, ne e fituam! Një falenderim shumë i madh për të gjithë demokratët që me shpirtin e tyre të rezistencës dhe sakrificës, e mundësuan këtë fitore histore në kushte tejet të vështira!

Dua të falenderoj gjithashtu Kryetarin e Partisë Prof. Dr. Sali Berishën për besimin që më dha në përmbushjen e kësaj detyre, Sekretarin e Përgjithshëm për mbështetjen, si dhe të gjithë kolegët që më besuan dhe bashkëpunuan me mua në këtë rrugëtim.

Faleminderit nga zemra të gjithëve.