AKTUALITET, 15 August 2026, 13:41

Merr flakë në ecje makina në aksin Gjirokastër-Kakavijë

Një automjet ka marrë flakë gjatë kohës që ishte në lëvizje në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Lugar, në Dropull. Personat që udhëtonin në automjet kanë arritur të dalin në kohë, duke shpëtuar fatmirësisht pa lëndime.

Dyshohet se zjarri është shkaktuar nga impianti i gazit të automjetit. Për pasojë, makina është shkrumbuar plotësisht.

Forcat zjarrfikëse kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve. Ndërkohë, policia ka ndërhyrë për normalizimin e qarkullimit të automjeteve në këtë aks rrugor.