TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ministria e Mbrojtjes ka raportuar se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 35 vatra zjarri në vend, nga të cilat 8 mbeten aktive.
Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 533 forca operacionale dhe 39 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të tyre janë angazhuar 186 efektivë të Forcave të Armatosura, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Aktualisht, në terren vijojnë të operojnë 120 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Në Dajt, Tiranë, vijon operacioni për shuarjen e zjarrit në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Forcat operacionale mbështeten nga 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Në Priskë, Farkë dhe zonat përreth, ndërhyrja e 30 forcave të MZSH-së me 6 mjete ka bërë të mundur vendosjen e zjarrit nën kontroll.
Në Krujë vijon puna në vatrat e Abazes dhe Zidollit. Ndërhyrjet e forcave nga toka, të mbështetura gjatë ditës së djeshme edhe nga ajri, kanë ndihmuar në normalizimin e situatës. Në Zidoll po punohet për izolimin dhe shuarjen e plotë të zjarrit, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Gurë-Lurë, Dibër, vijon një nga operacionet kryesore. Hapja e korridoreve me mjete dhe forca ka penguar përparimin e zjarrit drejt banesave. Sot operacioni vijon me forcat në terren, të mbështetura nga 50 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 avionë Air Tractor dhe 1 autobot uji.
Në Qafë Helmes, Bulqizë-Selishtë, operacioni vijon me mbështetjen e 20 efektivëve të Forcave të Armatosura. Në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Lezhë, Elbasan dhe Shkodër vijon puna për izolimin dhe shuarjen e vatrave të mbetura në Lufaj, Dardhë dhe pyjet e Tërbunit.
Ndërkohë, një zhvillim pozitiv është regjistruar në Përmet, Trojë, Qukës dhe Paulesh, ku vatrat janë shuar plotësisht, si rezultat i punës së forcave operacionale.