TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për korrupsion, arbitraritet dhe indiferencë ndaj situatës së krijuar nga zjarret në disa zona të vendit.
Në një komunikim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha e cilësoi javën e fundit si të dominuar nga zjarret dhe protestat qytetare, ndërsa kritikoi qeverinë për mënyrën e menaxhimit të situatës.
Ai vlerësoi punën e zjarrfikësve dhe punonjësve të angazhuar në terren, duke pretenduar se ata nuk kanë marrë mbështetjen e nevojshme nga qeveria.
“Java ishte një javë tejet e nxehtë, e dominuar nga protesta në mbarë vendin dhe nga dhjetëra zjarre, të cilat kërcënuan zona të banuara, banesa dhe jetën e qytetarëve”, tha Berisha.
Kreu i PD-së akuzoi Ramën dhe ministrat e tij se kanë qëndruar indiferentë ndaj situatës, ndërsa pretendoi se zjarrfikësit janë përballur për më shumë se dy javë me flakët pa marrë mbështetje financiare shtesë.
Berisha u ndal më tej te protestat e zhvilluara së fundmi, të cilat i cilësoi si “uragani i lirisë”. Sipas tij, përpjekjet e qeverisë për t'i përçarë ose ndalur protestuesit kanë dështuar.
Ai deklaroi se protestat do të marrin një tjetër intensitet gjatë vjeshtës dhe u bëri thirrje mbështetësve të Partisë Demokratike që t'u bashkohen tubimeve.
“Vjeshta është vjeshta e shqiptarëve, është vjeshta e lirisë, është vjeshta në të cilën qytetarët marrin në dorë fatin e tyre”, deklaroi Berisha.
Në përfundim, kreu i PD-së u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve që të marrin pjesë në protesta, duke e cilësuar pjesëmarrjen si një kontribut për të ardhmen e vendit.