AKTUALITET, 15 August 2026, 10:31

Kadastra nxjerr 100 vendimet e para të legalizimit/ Përfshihen objektet informale përgjatë gjurmës së hekurudhës Tiranë-Durrës

Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka emetuar 100 vendimet e para të legalizimit për objektet informale të identifikuara përgjatë gjurmës së hekurudhës.

Sipas Kadastrës Shqiptare, lista e përfituesve të vendimeve për legalizimin e ndërtimeve informale është publikuar në faqen zyrtare të institucionit.

Procesi i legalizimit vijon për të gjitha objektet e identifikuara në bashkëpunim me Hekurudhën Shqiptare, në zonat e Njësisë 9, Njësisë 11, Mëzez, Katundit të Ri dhe Kasharit.

Kadastra bën të ditur se verifikimi në terren dhe trajtimi i çdo objekti do të vijojë në përputhje me përcaktimet ligjore, me synim përfundimin e procedurave të legalizimit për objektet që plotësojnë kushtet e parashikuara nga ligji.

Nisma synon të vijojë sistemimin dhe formalizimin e ndërtimeve informale të identifikuara përgjatë gjurmës së hekurudhës, përmes trajtimit të rasteve sipas kritereve dhe procedurave ligjore.