AKTUALITET, 2 Nëntor 2019, 22:22

Memushaj jep dy asiste, trajneri kundërshtar: Nuk është për këtë kategori

Memushaj jep dy asiste, trajneri kundërshtar: Nuk është për

Ledian Memushaj vazhdon të jetë protagonisti kryesor te skuadra e Peskarës, ku mban edhe shiritin e kapitenit. Mesfushori i përfaqësueses shqiptare është padyshim njeriu-asist i kësaj skuadre dhe e ka treguar edhe sot, në suksesin 3-0 përballë Pizës.

Memushaj, titullar si zakonisht, regjistroi 2 asiste në këtë ndeshje duke filluar nga goli i 1-0 që i dha avantazhin skuadrës së tij. Ai harkoi në zonë nga këndi për Borrelin i cili çoi shifrat në 1-0 kur regjistrohej minuta e 14 e ndeshjes.

Më pas, me një kundërzbritje të shpejtë në minutën e 63-të, dha asistin për Galano i cili i vetëm para portierit nuk e kishte të vështirë të shënonte për rezultatin e përkohshëm 2-0 që u vulos me pas nga Pepin në 3-0.

“Më duhet të them që luajtëm ndaj një skuadre të fortë që ka dy lojtarë si Memushaj dhe Pepin që nuk i përkasin kësaj kategorie”, ishin fjalët e Luka D’Anxhelo, trajnerit të Pizës duke vlerësuar lojën e mesfushorit shqiptar.