LIFESTYLE, 25 Prill 2020, 09:38

“Më ra si bombë, u shokova”- Babai mjek iu infektua me koronavirus pas kthimit në detyrë, Dj shqiptar tregon si e përjetoi momentin kur e zbuloi


Mjeku i njohur Dhimitër Kraja, i dalë në pension, u rikthye në krye të detyrës për të ardhur në ndihmë kolegëve në betejën me koronavirusin.

Por Kraja u infektua ndërsa ishte në kryer të detyrës. Tani ai ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe është rikthyer sërish në punë.

Djali i tij, Dixhej i njohur shqiptar Vik Kraja tregoi se u shokua kur mori vesh lajmin që babai i tij ishte infektuar me koronavirus.

Ai shtoi se babai i tij është një partizan i betuar i mjekësisë ndaj vendosi të jetë në vijën e parë të frontit në luftën ndaj COVID-19.

“Doktori është zjarr, është rikthyer sërish në punë. Të hënën pasi kaloi kohën e karantinës dhe i doli përgjigja negative është rikthyer përsëri në detyrë dhe po u shërben shqiptarëve.

Pak a shumë isha njoftuar deri diku që babi kishte dalë pozitiv por kur e pashë lajmin në media u shqetësova, më ra si bombë. Nuk e di pse, sepse pak a shumë e di njeriu se çfarë po ndodh. Ishte një ndjesi shumë shokuese.

Por si gjithë mjekët që kanë bërë betimin e hipokratit sidomos babai im që ka shërbyer në mjekësi për rreth 40 vite është partizan i betuar i mjekësisë,”- tha Vik Kraja i ftuar në emisionin “Ftesë në 5”.