TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Pandemia e koronavirusit u ka prishur planet edhe shumë çifteve, jo vetëm në Shqipëri, që kishin planifikuar dasmën këtë verë. Para disa ditësh, shqetësimit të qytetarëve se kur do të hapen lokalet e dasmave, kryeministri Edi Rama ju dha një zgjidhje: dasmë online.
“Ose do të presin të bëjnë një dasmë të madhe ose një të vogël online me njëri tjetrin dhe pastaj do të presin kur të vijnë e madhja, ose do të bëjnë si do të bëjnë dhe do të presin. Rëndësi ka dashuria, dhe fakti që duhet të durosh dhe pak dhe të kesh mundësi ta rishikosh vendimin deri sa të hapet zyra e gjendjes civile”, tha Rama.
Për t’iu përshtatur situatës, në Nju Jork të SHBA-ve, celebrimet martesore po bëhen me anë të videove online.
Ndërsa në vendin tonë, institucionet e gjendjes civile, po punojnë me staf të reduktuar. Duke folur në emisionin “Shqipëria Live”, drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, u shpreh se në Shqipëri nuk mund të bëhen celebrime martesore me anë të platformave online, sepse një gjë e tillë duhet të ndryshohet me ligj.
Ndërkohë, thotë Doracaj, në sportelet e shërbimeve civile, stafi është i reduktuar dhe të hapura janë vetëm sportelet e regjistrimit të lindjeve dhe vdekjeve.
“Shtete të ndryshme kanë ligje të ndryshme, të drejta tradicionale të ndryshme. Në Shqipëri, edhe për disa kohë nuk mund të bëhet martesa online. Prej datës 10 mars shërbimi i gjendjes civile, janë të reduktuara, vetëm regjistrimi i lindjes dhe i vdekjes, është aktualisht duke punuar. Sot për shkak të pandemisë, ne nuk e ofrojmë këtë shërbim në sportelet tona. Në Shqipëri nuk mund të ndodhë, duhen të bëhen ndryshime ligjore për ta bërë një gjë të tillë (u referohet martesave online)”, u shpreh Doracaj.