AKTUALITET, 15 August 2026, 13:45

Me pistoletë në makinë, pranga 2 të rinjve në Fier! Kërcënoi me armë, arrestohet një tjetër në Mallakastër (Emrat)

Tre persona kanë rënë në prangat e Policisë në Fier dhe Mallakastër, pasi janë konstatuar në rrethana të ndryshme në posedim të armëve.

Në Fier, është arrestuar 19-vjeçari Miklejin Monce, pasi gjatë kontrollit në automjetin me të cilin udhëtonte është gjetur një pistoletë. Në pranga ka rënë edhe shoku i tij, 28-vjeçari Flavio Bregu, i cili ishte pasagjer në automjet. Sipas Policisë, Bregu kishte dijeni se arma e zjarrit do të shitej në Fier.

Ndërkohë, në Mallakastër është arrestuar 38-vjeçari Ilir Sinaj, pasi dyshohet se ka kërcënuar me armë gjahu një person tjetër.

Gjatë kontrollit në banesën e Sinajt, policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe një kallashnikov.

Njoftimi i policisë:

Brenda 24 orëve, finalizohen 2 operacione policore në Fier dhe Mallakastër. Sekuestrohen 2 armë zjarri dhe 1 armë gjahu. Vihen në pranga 3 shtetas.

Në vijim të kontrolleve të intensifikuara për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve dhe me mbështetjen e shërbimeve të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcës së Posaçme Operacionale, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas lëvizte i armatosur me armë zjarri në automjet, finalizuan operacionin policor të koduar “Aksi”.

Në kuadër të këtij operacioni, në Bypass-in e Fierit u kap dhe u vu në pranga shtetasi M. M., 19 vjeç, banues në Vlorë. Gjatë kontrollit të automjetit që drejtonte 19-vjeçari, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri, tip pistoletë.

Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua edhe shtetasi F. B., 28 vjeç, banues në Vlorë, pasagjer në automjet, pasi dyshohet se kishte dijeni se shoku i tij, shtetasi M. M., posedonte armën e zjarrit dhe do ta shiste në Fier.

Ndërkohë, në Mallakastër, u finalizua operacioni policor i koduar “Hidden Guns”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi I. S., 38 vjeç, banues në fshatin Lofkënd, Mallakastër.

Ky shtetas dyshohet se, pas një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur me armë gjahu një shtetas tjetër. Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë bëri të mundur neutralizimin e situatës, arrestimin e autorit të dyshuar dhe sekuestrimin e një arme zjarri, tip kallashnikov, dhe një arme gjahu, të cilat i kishte fshehur në banesë dhe i mbante pa leje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.