TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Janë luajtur dje 9 ndeshjet e fundit të fazës së parë të Kategorisë së Parë që këtë sezon ka ndryshuar formulë, ku ekipet e vendit të dytë bëjnë finale për t’u ngjitur në elitë, ndërsa nuk ka më ndarje mes pesë të parave që luftojnë për më lartë dhe pesë të dytave për të mos rënë një kategori më poshtë.
Gjithsesi, në këtë pjesë të parë ka pasur garë, kontestime e akuza, por vlen që të theksohet një ecuri mjaft e mirë e dy ekipeve kryesuese, Kastrioti që e mbylli fazën pa asnjë humbje, ndërsa Pogradeci që ka qenë surpriza e grupit B por edhe e Kategorisë së Parë.
Lushnja e dorëzoi “fronin” me humbjen në Fushë-krujë ditën e djeshme, ndërsa në rritje duket Apolonia. Në tri javët e fundit, fierakët po luajnë mjaft mirë, por edhe kanë marrë rezultate dhe tashmë janë afruar dukshëm me kreun.
Nisur edhe nga rikthimi në stadiumin e tyre, aty ku mbështetja nuk mungoi që në ndeshjen ndaj Orikut, tregon se fieraket e fazës së dytë do të jenë më solidë. Pritej më shumë gjithashtu nga Besëlidhja, Korabi e Erzeni por që kanë shfaqur oscilacione në 9 javët e para.
Në ekipet e mbijetesës, duket që Elbasani është më ndryshe këtë sezon, ndërsa bie në sy Egnatia e Shkumbini që duket se nuk do të luftojnë dot për më lartë me atë që kanë treguar deri më tani.
Po ashtu edhe Turbina apo Devolli që e nisën me pretendime kanë pasur probleme gjatë javëve të para të këtij sezoni. Por, po habit Dinamo, është në momentin më të errët të historisë së saj, pasi ndodhet në vend të fundit dhe një mrekulli mund ta shpëtojë nga humnera e Kategorisë së Dytë…
Faza e dytë, pritet që të jetë më interesant, si për ekipet që duan elitën ashtu edhe për ato që do të kërkojnë mbijetesën. Gara duket më e ashpër se kurrë, ndërsa renditja mund të marrë “udhë” pas 4-5 javësh për pjesën më të madhe të skuadrave që garojnë këtë sezon në Kategorinë e Parë.
Më poshtë do të gjeni edhe klasifikimin për të dyja grupet A dhe B të Kategorisë së Parë dhe pozitën e çdo skuadre pas 9 javëve të para të këtij sezoni…
