Ndërmjetësi i OKB-së në bisedimet për çështjen e emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, Methju Nimic ka caktuar takimin me përfaqësuesit e dy vendeve,  i cili do të mbahet në Bruksel më 11 dhe 12 dhjetor.

“Takimi është pjesë e angazhimeve të OKB-së që ti ndihmojë të dyja palëve të gjejnë zgjidhje të përbashkët e të pranueshme për çështjen e emrit”, thuhet në deklaratën e Nimic.

Raundi i ri i bisedimeve vjen në periudhën e klimës së përmirësuar politike midis Maqedonisë dhe Greqisë, si dhe pritjeve optimiste nga Shkupi, Athina dhe Uashingtoni për t’i dhënë fund kontestit shumëvjeçar.

Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan, Hojt Ji javën e kaluar në një debat në Uashington tha se çështja e emrit deri më tani është në nivelin më të lartë dhe më afër gjetjes së zgjidhjes.

Shefi i diplomacisë greke, Nikos Koxias, nga ana tjetër, deklaroi se pret që çështja të mbyllet në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, ndërsa kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, se duhet të bëhet një hap dhe se tani ekzistojnë mundësi më të mëdha se më parë që të gjendet zgjidhje me Greqinë.