TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar ditën e sotme takim me demokratët në qytetin e Elbasanit.
Basha u shpreh në Elbasan si në asnjë vend tjetër, pati përplasje të botës së errët dhe botës së qytetëruar.
Ndërsa falënderoi drejtuesit e Partisë Demokratike, kryedemokrati tha se kjo forcë politike do të rrëzojë regjimin Rama-Doshi dhe do t’ua u kthejmë Shqipërinë shqiptarëve.
Fjala e Bashës:
Elbasani, një qytet që është njohur për dekada dhe për shekuj, për shkollën, për festën e verës, për qytetarinë e tij, por që fatkeqësisht tashmë gjatë këtyre javëve mbeti në kronikat e lajmeve për vrasjet mafioze.
Akoma pa u tharë një njollë gjaku, ndodh një tjetër ngjarje kriminale dhe kryefamiljarët e Elbasanit nxitojnë të bëjnë apelin e familjarëve të tyre me trishtimin dhe frikën në zemër se mos ndonjëri prej tyre është bërë pre, ka rënë pre, ka rënë viktimë e ndonjë plumbi qorr. Sepse Elbasani tashmë nuk njihet si qyteti i Normales, nuk njihet si qyteti i Festës së Verës, por njihet ashtu siç janë detyruar ta pranojnë edhe vet krerët më të lartë të institucioneve të ligjzbatimit në vend, si kryeqyteti i krimit. Kjo është e vërteta.
Ndaj, sot nga Elbasani kam një mesazh. Për të gjithë ata që nuk besojnë ose nuk duan të besojnë se 25 prilli ishte dita e zgjedhjeve të vjedhura nga regjimi Rama-Doshi, masakra elektorale më e madhe dhe vjedhja më e madhe e votave në 30 vite histori pluralizëm, ejani në Elbasan, dhe shikoni se si kryepolici i vendit që në fakt është kryepolici i Edi Ramës, mori në mbrojtje bandat që u sulën për të terrorizuar, për të blerë dhe për të kërcënuar qytetarët e Elbasanit me pistoletat e tyre me tyta të kromuara, të cilat nuk nguruan t’ua vënë në kokë dhe drejtuesve lokal të policisë së Elbasanit.
Atyre që nuk e kuptojnë akoma apo bëjnë sikur nuk e kuptojnë përmasën reale të masakrës zgjedhore të 25 prillit, ju them ejani në Elbasan dhe shikoni se si prokurori u përpoq të fshihte provat e kapura në flagrancë të materialeve zgjedhore, të shitblerjes masive nga bandat kriminale që kanë vënë përfund policinë, institucionet dhe kontrollojnë tërësisht qytetin dhe qarkun e Elbasanit.
Atyre që pyesin pse nuk jeni të gatshëm të bashkëpunoni me Edi Ramën, ju them ejani në Elbasan. Ejani dhe shikoni se si janë bërë njësh pushteti me krimin, krimi me pushtetin.
Siç e ka thënë dikur gjyqtari i famshëm anti-mafia, Paolo Borselino, “krimi dhe politika ushtrojnë kontrollin mbi të njëjtën hapësirë. Ato nuk mund të jenë në paqe me njëra-tjetrën, por vetëm në luftë me njëra-tjetrën ose përndryshe njëra prej tyre ka fituar”.
Dhe ne e dimë fare mirë se çfarë ka ndodhur këtu.
Ne e dimë fare mirë, siç e dinë të gjithë shqiptarët, se krimi dhe pushteti në Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë janë bërë njësh jo thjesht dhe vetëm për përfitimet personale dhe vetjake materiale të bosëve të krimit të organizuar, por për këtë transaksion të pastër ku në këmbim pushtetarët e korruptuar nuk marrin vetëm paratë pjesën e tyre të trafiqeve të drogës dhe trafiqeve të tjera të paligjshme, por marrin mbështetjen kriminale në proceset zgjedhore. Kjo është e vërteta dhe këtë duhet ta dijë çdokush.
Kush nuk e di, le të vijë në Elbasan.
Kush mendon se në do të biem në paqe me këtë realitet, kush mendon se ne do të ulim kokën para këtij realiteti, kush mendon se ne do të bashkëpunojmë me autorët e këtij realiteti, me Edi Ramën, dhe çirakun e tij në Elbasan e kudo tjetër, e ka gabim. Kjo nuk ka për të ndodhur.
E kundërta do të ndodhë. E vetmja rrugë për të çliruar Elbasanin dhe qytetarinë e Elbasanit, për të çliruar Shqipërinë dhe shqiptarët nuk është ajo e bashkëpunimit me regjimin Rama-Doshi, por e bashkimit e të gjithë forcave, të gjithë atyre 680 mijë shqiptarëve që na ndoqën me fuqinë e zemrave të tyre dhe çdo shqiptari tjetër që e ka kuptuar se nuk ka të ardhme për këtë vend pa u bërë të gjithë bashkë dhe pa e rrëzuar një orë e më parë regjimin Rama-Doshi.