TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Më 16 maj të vitit 1999 në rrethana ende të pa zbardhura është zhdukur Ukshin Hoti.
Veprimtari i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, profesori Ukshin Hoti u lind më 17 qershor të vitit 1943 në fshatin Krushë të Madhe të Rahovecit. Ishte profesor, shkrimtar, filozof, intelektual, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare gjatë viteve 1981-1999.
Ukshin Hoti ka qenë edhe ligjërues në disa universitete të Amerikës ku dhe kishte studiuar dhe ishte diplomuar.
Për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Milosheviçit.
Për herë të fundit ishte arrestuar në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundra Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, ku edhe u dënua me 5 vite burg.
Më 16 Maj të vitit 1999 pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë.
Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshini ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve.
Prej asaj kohe e deri më tani, veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, filozofi, shkrimtari, publicisti dhe atdhetari i përkushtuar, Ukshin Hoti konsiderohet ende i zhdukur.
Ramush Haradinaj ka përkujtuar veprën e intelektualit Ukshin Hoti, ndërsa e vlerëson si zërin moral të shoqërisë shqiptare.
Nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, Haradinaj shkruan se Hoti, formësoi mendimin politik shqiptar në dy dekadat e fundshekullit njëzet, frymëzoi kryengritjen të cilën e jetësoi brezi i UÇK-së.
Postimi i plotë:
Zëri moral i shoqërisë shqiptare, intelektual kryengritës, trim e guximtar që nuk u thye kurrë. I tillë ishte Ukshin Hoti.
Rrezatues mbi injorancën, që asnjëherë nuk e lejoi korruptimin e dijes, ai ishte ndër intelektualët dhe diplomatët e parë të Kosovës, i cili e arsyetoi dhe zbërtheu në teori e praktikë, kërkesën e shqiptarëve të Kosovës për lirinë, barazinë dhe Republikën.
Ai formësoi mendimin politik shqiptar në dy dekadat e fundshekullit njëzet, frymëzoi kryengritjen të cilën e jetësoi brezi i UÇK-së.
Ai promovoi etikën politike, sepse politika pa etikë nuk nxit ndjenjën e përgjegjësisë shoqërore, duke u bërë shembull që duhet ndjekur nga elitat politike të shqiptarëve gjithandej.
Për shkak të këndvështrimit të tij të veçantë politik, ai shfaqte rrezik të përhershëm për regjimin.
Ai u përndjek dhe u burgos nga organet e pushtuesit, e më pas u zhduk fizikisht, e ne ende nuk kemi përgjigje për fatin e tij.
Por, ata kurrë nuk arritën të shuajnë idetë, të cilat me krenari vazhdojmë t’i ndjekim.
Ne asnjëherë nuk duhet të ndalemi së kërkuari drejtësi për të gjitha krimet që pushtuesi serb i kreu në vendin tonë, në respekt të veprës e sakrificës jetësore të Ukshin Hotit dhe mijëra bashkëkombasve tanë, që pësuan nga gjenocidi. RH
