AKTUALITET, 16 Maj 2021, 12:23

Hiqet tenda e vaksinimit në Elbasan, mbetjet mjekësore lihen përtokë, qytetarët: Papërgjegjshmëri totale!

Hiqet tenda e vaksinimit në Elbasan, mbetjet mjekësore lihen

Fushata e vaksinimit do të përqendrohet nga qendrat e qyteteve drejt qendrave shëndetësore.

Gjatë heqjes së tendave në qytetin e Elbasanit, shiringat e përdorura për të bërë injektimet janë lënë në tokë, duke mos u pastruar nga institucionet përkatëse.

Një papërgjegjshmëri totale e punonjësve të Drejtorisë Rajonale të Kujdesit Parësor Shëndetësorë.

Këto shiringa dhe papastërti të mbetjeve mjekësore mund të kthehen në burim infeksionesh për banorët.

Qytetarët shprehen të shqetësuar për Fax News, duke deklaruar se kemi të bëjmë me një papërgjegjshmëri totale, ku mbetjet përbëjnë rrezik për përhapjen e infeksioneve.

“Papërgjeshmëri totale dhe burim infeksioni”, shprehet ndërkohë një qytetar.

Ndonëse bërja e vaksinës ishte për të ulur rrezikun e infektimit me covid-19, pamje të tilla janë të rrezikshme.

“Qysh kur u hoqën tendat duhet të ishin pastruar. Është shumë e rrezikshme se janë mbetje spitalore, duhet zgjedhur një mënyrë për tu grumbulluar dhe për tu asgjësuar”, shprehet një tjetër qytetar.

Aktualisht në Elbasan janë vaksinuar mbi 47 mijë persona.

Fushata e injektimeve tashmë do të nisë për persona të moshave nën 55-vjeç, dhe për ata të cilët nuk kanë mundur ti nënshtrohen vaksinimit gjatë fazës së parë.