TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nga Pëllumb Nako
Muaj më parë, dy mjekë u arrestuan sepse mjekuan në mënyrë ilegale një individ, të cilin Policia po e kërkonte pas një ngjarjeje të rëndë të ndodhur në zonën e Laçit. Masa e sigurisë dhënë për ta ishte burgu. Mjekët kishin shkelur ligjin, pikërisht në nenin, i cili i detyron shprehimisht që në raste të tilla të njoftojnë Policinë. Organet e hetimit i akuzuan edhe për pengim të hetimeve. Kurse këto ditë, masa e sigurisë për një drejtues të lartë Policie, i cili, ashtu si mjekët, shkeli ligjin në pikën që e ngarkon me detyrë të ruajë sekretin, nuk është arresti me burg, por pezullimi nga detyra e lartë, e cila ai mban në Polici.
Ndërkohë, në disa media citohet se oficeri i lartë akuzohet për shpërdorim detyre dhe nxjerrje të sekretit hetimor, disa të tjera thonë se ai akuzohet për nxjerrje sekreti dhe korrupsion.
Sigurisht, janë organet kompetente të hetimit dhe të gjykimit ato që bëjnë kualifikimin e veprës penale, duke përcaktuar rëndesën e secilit rast dhe duke përcaktuar po ashtu edhe masën e sigurisë për përgjegjësit e aktit. Por kjo nuk do thotë që veprimet e personave përgjegjës në të dy rastet e cituara të mos shihen nën një këndvështrim vlerash sociale individësh në shoqërinë ku jetojnë e punojnë. Dhe nga ky këndvështrim do të rezultonte se veprimet e oficerit duken shumë më të rënda sesa ato të mjekëve. E gjitha kjo edhe për arsyen se nëse veprimet e mjekëve mund të karakterizohen me lehtësi si një vepër penale e zakonshme, veprimet e drejtuesit policor në disa momente dalin jashtë karakterizimit si vepër penale të paktën për vendin tonë, por shoqërisht janë më të dënueshme dhe mbi të gjitha më të rrezikshme.
Nëse mjekët nuk denoncuan autorin e krimit të kërkuar nga Policia, por i shërbyen për t’i shpëtuar jetën, veprimi i oficerit potencialisht mund të kishte vënë në rrezik jetën për kolegët e tij në vendin perëndimor kur po merreshin me hetimin e trafikantëve në fjalë. Pra, ata respektuan betimin e Hipokratit për të shpëtuar një jetë, por shkelën ligjin, kurse ky oficer shkeli edhe betimin si polic edhe ligjin. Supozimi i vënies në rrezik të jetës së kolegëve nuk është aspak ireal sepse në raste të tilla goditja vjen nga prapa krahëve dhe në kushtet e luftës kundër trafiqeve dihet që Policia përdor edhe të infiltruar, të cilët janë të parët që e paguajnë me jetë goditjen nga shpina.
E para gjë që vihet re në të dyja rastet e përmendura është se mjeket e shkelën ligjin në kushtet e ushtrimit të profesionit në mënyrë private kundrejt një shpërblimi të mundshëm financiar, pra, ata nuk akuzohen dot për korrupsion apo për shpërdorim detyre. Kurse titullari policor e kreu shkeljen në kushtet e ushtrimit të funksionit publik dhe me shumë gjasa për përfitim financiar dhe shpërdorimi i detyrës mbetet i qartë.
Duke mjekuar dikë në mënyrë ilegale, mjekët u akuzuan se penguan shfaqjen e së vërtetës, pra, penguan hetimin, kurse kur drejtuesi policor njoftoi trafikantët të fshiheshin, veprimi i tij nuk u karakterizua si pengim hetimi nga autoritetet tona kompetente. Gjithmonë referuar vlerave sociale, veprimi i oficerit moralisht është shumë skandaloz i krahasuar me atë të mjekëve sepse ai iu vetofrua trafikantëve dhe nuk ishin këta të fundit ata që e joshën apo e tunduan duke i premtuar shpërblim financiar. Pra, nëse në rastin e një korrupsioni klasik shërbimi blihet nga i interesuari duke paguar administratën, në rastin e këtij ish-drejtuesi policor, është administrata ajo që i shet shërbimet e saj trafikantëve. Kjo mënyrë veprimi e tij në disa vende perëndimore përbën një nga komponentët që karakterizojnë shkelje të rëndë ligjore të parashikuar nga disa nene të Kodit të tyre Penal.
Oficeri i lartë ka njoftuar individët, të cilët hetoheshin nga ana e kolegëve të një policie perëndimore. Pra, ai ka nxjerr një sekret hetimi, siç thotë edhe akuza. Ligji e ngarkon me detyrë zotëruesin shtetëror të sekretit që ta ruajë atë dhe oficeri bëri të kundërtën, pra, shpërdoroi detyrën dhe akuza e konfirmon këtë. Përse e kreu këtë veprim oficeri? Sigurisht, më e mundshmja është për përfitim financiar. Disa media thonë se ai akuzohet edhe për korrupsion, disa nuk e thonë, pra, akuza për korrupsionin mbetet si një mundësi.
Ndërkohë, siç e theksuam edhe më sipër, veprimin antiligjor të kualifikuar pak më sipër, oficeri e kreu në mënyrë vullnetare duke iu vetofruar grupit kriminal, duke i shërbyer atij dhe duke u krijuar kushte disa anëtarëve të shpëtojnë nga drejtësia dhe të vazhdojnë aktivitetin e tyre kriminal. Pra, ai ndihmoi në vazhdimin e kryerjes së aktivitetit kriminal të grupit sepse pas njoftimit të tij pak e mundshme është që personat e shërbyer nga njoftimi të kthehen në rrugë të mbarë. Një pasojë e kësaj natyre, rezultat i aktit të oficerit të lartë, mjaft e rëndë, duket se nuk është parë e arsyeshme të kualifikohet penalisht nga hetimi dhe nisur nga masa shtrënguese e dhënë, pak gjasa ka të merret në konsideratë.
Por ajo që shqetëson më shumë mbetet fakti se nëse ky oficer e ka për herë të parë një veprim të tillë me këtë grup kriminal? Fakti që ai i njoftoi vullnetarisht tregon se ai di ku po vepron dhe se me kë ka të bëjë, pra, është në kontakt me anëtarët e grupit, pak rëndësi ka direkt apo me ndërmjetës. Ky supozim të bën të mendosh se ai mund të ketë kryer veprime në favor të tyre edhe më parë, pra, më shumë se një herë. Dihet që ligji penal parashikon dënime edhe për individë që bëjnë pjesë në grupe kriminale që mund të dënohen edhe pa kryer asnjë akt. Pra, vetëm qenia anëtar e bën atë përgjegjës para ligjit. Oficeri në fjalë nuk është pjesë e grupit kriminal, por edhe duke qenë jashtë tij, me veprimet e kryera deri tani, ai ka treguar se ka ndërgjegjen dhe vullnetin (vetofrimi) e plotë që veprimi i tij ndikon në forcimin e grupit kriminal dhe po ashtu ai është i ndërgjegjshëm për nevojën që ka grupi kriminal në veprimin të tij për të vazhduar programin kriminal. Dhe, ndryshe nga rasti sporadik i dy mjekëve, veprimi i oficerit nuk është thjesht një nxjerrje sekreti apo një shpërdorim detyre, por ndihmë nga jashtë për një grup kriminal të tipit mafioz.