SPORT, 13 Qershor 2021, 11:05

Lojërat Olimpike, Briken Calja jep lajmin e madh, kualifikohet direkt në pesë më të mirët

Lojërat Olimpike, Briken Calja jep lajmin e madh, kualifikohet direkt

Na ka bërë të ndihemi krenarë sa herë ka përfaqësuar Shqipërinë në kompeticionet më të rëndësishme ndërkombëtare!

Në emisionin “Fitstation” në News 24, Briken Calja njoftoi kualifikimin e tij zyrtarisht në Lojrat Olimpike ‘Tokyo2020’!

“Faleminderit për vëmendjen që i kushtoni sportistëve olimpikë.

Kam filluar përgatitjen për evenimentin më madhor siç janë Lojërat Olimpike, edhe pse me një sfidë kualifikuese shumë të vështirë prej pandemisë, ja dola të jem në pesë më të mirët dhe të marr kualifikimin direkt në Lojërat Olimpike.

Ky është një lajm madhor për shtetin shqiptar dhe shpresojmë të bëjmë më të mirën për Shqipërinë, pse jo dhe një medalje Olimpike.

Gara është shumë e fortë pasi po flasim për Lojërat Olimpike, siç edhe dihet shteti shqiptar akoma nuk ka në ‘CV’ një medalje olimpike, kështu përgjegjësia është shumë e madhe dhe sfida është jashtëzakonisht shumë e vështirë” – u shpreh Calja.

I pyetur nga moderatorja Çenkuela Hasa për medaljen që synon, sportisti u shpreh se nuk ka rëndësi ngjyra.

“Nuk ka rëndësi ngjyra, e rëndësishme është të sjellim medaljen e parë historike në vend”- tha Calja.