TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Komisioni Europian paralajmëroi hapur Serbinë se zhvillimet e fundit politike në vend do të merren parasysh kur të shqyrtohet mundësia e vazhdimit të negociatave për anëtarësimin e saj në bllokun europian.
Paralajmërimi vjen pas vendimit të autoriteteve serbe për t`i rezervuar një funeral me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake Ratko Mlladicit, ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Srpska, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Guillaume Mercier, zëdhënësi i Komisionit Europian për zgjerimin u shpreh:
“Siç e dini, diskutimet mbi Grupin 3 janë duke u zhvilluar aktualisht me shtetet anëtare. Dhe, për këtë diskutim duhet të merren parasysh zhvillimet e fundit politike që kemi parë”.
Për vite me radhë, Komisioni Europian ka mbështetur avancimin e negociatave të anëtarësimit mes BE-së dhe Serbisë, duke rekomanduar hapjen e Grupit 3, për të cilin Beogradi konsiderohet teknikisht i gatshëm. Angazhimi i fundit intensiv për këtë çështje ishte përpara pushimeve verore, kur KE-ja i bëri thirrje shteteve anëtare të arrinin një marrëveshje për hapjen e grupit dhe, në këtë mënyrë, të zhbllokonin procesin e negociatave, i cili ka mbetur praktikisht i bllokuar për afro pesë vjet.
Serbia nuk ka hapur më asnjë kapitull të ri negociatash që nga dhjetori i vitit 2021. Fillimisht, një nga arsyet kryesore për bllokimin e procesit ishte mospërputhja e politikës së jashtme të Serbisë me atë të BE-së, veçanërisht refuzimi i Beogradit për t’iu bashkuar sanksioneve ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.
Më vonë, shqetësimet lidhur me sundimin e ligjit dhe reformat demokratike shtuan skepticizmin e disa shteteve anëtare, e tani, situata është komplikuar edhe më tej nga zhvillimet pas vdekjes dhe varrimit të Mlladicit.