AKTUALITET, 9 September 2026, 15:00

GJKKO nuk shqyrton ankimin e Veliajt për “Nesti Angonin”, çështja shkon në Gjykatën e Lartë: Kush e ka kompetencën?

Gjykata e Posaçme i kërkon Gjykatës së Lartë të përcaktojë se cila gjykatë duhet të shqyrtojë ankimin e kryebashkiakut Erion Veliaj për mosnisjen e një procedimi penal ndaj personazhit anonim “Nesti Angoni”. Vendimi është marrë në dhomë këshillimi nga gjyqtari Erion Çela.

Por si ka mbërritur çështja deri këtu?

Veliaj kërkoi që “Nesti Angoni” të hetohej për “falsifikim dokumentesh”, pasi mbi bazën e një dokumenti të paraqitur me këtë emër SPAK nisi hetimet ndaj kryebashkiakut. Prokuroria e Tiranës bëri verifikime, por vendosi të mos regjistrojë procedim penal, pasi “Nesti Angoni” nuk rezultoi në regjistrin e Gjendjes Civile dhe nuk u identifikua se kush fshihej pas këtij emri.

Veliaj ankimoi vendimin. Gjykata e Tiranës shpalli moskompetencën dhe ia kaloi çështjen Gjykatës së Posaçme, me argumentin se nuk i takonte asaj ta shqyrtonte.

Tashmë edhe Gjykata e Posaçme, përmes gjyqtarit Erion Çela, ka vlerësuar se nuk është ajo gjykata që duhet të vendosë për ankimin. Për këtë arsye, çështjen ia ka dërguar Gjykatës së Lartë, së cilës i kërkon të zgjidhë konfliktin e kompetencës dhe të përcaktojë përfundimisht se cila gjykatë do të shqyrtojë ankimin e Veliajt.