AKTUALITET, 2 September 2026, 11:14

"Lironi shqipet"/ Tensionet te Kryeministria, 13 të arrestuar nga Policia, protestuesit te Komisariati nr. 3

Pas tensioneve që shoqëruan mbrëmjen e djeshme protestën e 94-të të Kryeministrisë, policia ka arrestuar 14 persona, të cilët tentuan të hynin brenda godinës.

Ndërkohë, mëngjesin e sotëm, disa prej tubuesve janë vendosur te komisariati nr. 3, ku po mbahen një pjesë prej tyre.

Ata bëjnë thirrje që të lirohen protestuesit e arrestuar, duke brohoritur: Lironi shqipet!

Ndërkohë, edhe mbrëmjen e djeshme, pas përplasjeve edhe me efektivët, të cilët krijuan kordon në godinën e Kryeministrisë, protestuesit marshuan drejt komisariatit nr. 3, me të njetat thirrje, për të liruar të arretuarit.

Me flamuj kuqezi ata dëgjohen të thërrasin ‘Lironi shqipet dhe nuk jeni vetëm’.

Mes të arrestuarve janë edhe Edison Lika, Arvina Lleshi, Dritan Goxhaj apo Arben Kola që njihen si organizatorë të tubimeve.

Ndërkohë një natë më parë para rajonit nr.3 ata kërkuan lirimin e tyre me thirrje fyese në kor kundër efektivëve të Policisë dhe Qeverisë.

EMRAT E TË ARRESTUARVE
Dritan Goxhaj
Junik Matoshi
Edison Lika
Erlind Almeta
Sokol Bushi
Lulzim Gjini
Valtion Shameti
Florian Manarkolli
Desiderjo Alimuçaj
Bora Mitrovica
Arvina Lleshi
Ylli Brahaj
Arben Kola
Aumiraldi Dalliu

Njoftimi i plotë i policisë

Tiranë/Kundërshtuan me forcë punonjësit e Policisë dhe bllokuan hyrje-daljet e Kryeministrisë, në kohën kur në këtë institucion të rëndësisë së veçantë ndodheshin personalitete të larta shtetërore, arrestohen 14 shtetas dhe procedohen penalisht 3 të tjerë.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në lidhje me tubimin e zhvilluar më datë 01.09.2026, pranë Kryeministrisë:

-u arrestuan në flagrancë shtetasit: D. G., 50 vjeç; J. M., 38 vjeç; E. L., 28 vjeç; E. A., 35 vjeç; S. B., 50 vjeç; L. Gj., 47 vjeç; V. Sh., 52 vjeç; F. M., 22 vjeç; D. A., 29 vjeç; B. M., 34 vjeçe; A. Ll., 28 vjeçe; Y. B., 38 vjeç; A. K., 46 vjeç dhe A. D., 30 vjeç.

-u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. J., 47 vjeç; A. T., 54 vjeç dhe A. G., 56 vjeç.

Më datë 01.09.2026, rreth orës 20:00, një grup pjesëmarrësish në tubim u grumbulluan në rrugën “Ismail Qemali”, në anën jugore të Kryeministrisë, ku bllokuan hyrje-daljet në ambientet e këtij institucioni, në kohën kur aty ndodheshin personalitete të larta shtetërore. Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë krijuan një kordon sigurie, me qëllim moslejimin e depërtimit të mëtejshëm brenda perimetrit të sigurisë.

Tubuesit vijuan qëndrimin në rrugën “Ismail Qemali”, përpara hyrjes së Kryeministrisë, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të punonjësve të Policisë, për rreth 30 minuta, nëpërmjet megafonit, për shpërndarjen e tubimit dhe lirimin e rrugës.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë, nëpërmjet megafonit, u bënë të ditur pjesëmarrësve në tubim se veprimet e tyre ishin në kundërshtim me ligjin, në cenim të rendit dhe qetësisë publike, si dhe të perimetrit të sigurisë së institucionit të rëndësisë së veçantë. Gjithashtu, iu bë e ditur se, si pasojë e tubimit, ishte penguar qarkullimi i mjeteve të transportit dhe lëvizja e lirë e personaliteteve të larta shtetërore.

Pavarësisht thirrjeve të Policisë, tubuesit vijuan me thirrje dhe veprime aktive për kundërshtimin me forcë të punonjësve të Policisë të planëzuar në kordonin e sigurisë.

Në momentin që punonjësit e Policisë po kryenin zhvendosjen e tubuesve, me qëllim lirimin e hyrje-daljeve të Kryeministrisë dhe lirimin e rrugës, tubuesit bënë rezistencë aktive, u ulën në rrugë, vijuan bllokimin e hyrjes së institucionit dhe të rrugës, si dhe goditën dhe shtynë punonjësit e Policisë.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.