BALLKAN, 2 September 2026, 11:21

Vendimi/ Ministri Sveçla shpallet fajtor për hedhjen e gazit lotsjellës më 2018 në Kuvendin e Kosovës! Dënimi do të shpallet më 8 Shtator

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, por dënimi do të bëhet i ditur më 8 shtator.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i trupit gjykues, Sabit Sadikaj, shkruan KosovaPress.

“Është fajtor sepse me datë 21 gusht 2018 në Prishtinë në sallën e kuvendit gjatë mbajtjes. Ka përdorur bombolën e gazit. Duke pamundësuar mbajtjen e seancës, duke e aktivizuar që të hidhet brenda me çka deputetët e Kosovës janë detyruar të lëshojnë sallën. Sot gjykata e shpall vetëm aktgjykimin sa i përket të pandehurit, vendimin lidhje me dënimin 8 shtator nga ora 9:00”, tha ai.

Çështja lidhet me ngjarjet e marsit 2018, kur deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje hodhën gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Në një seancë të mëparshme, Sveçla kishte deklaruar se nuk e konsideronte veten fajtor, duke thënë se veprimi kishte karakter politik dhe kishte si synim, sipas tij, të pengonte "faljen ose shitjen e 8,200 hektarëve tokë të Republikës së Kosovës".

Fillimisht, në këtë çështje ishin nën akuzë edhe ish-deputetët e Vetëvendosjes Drita Millaku, Fitore Pacolli-Dalipi dhe Salih Zyba, por Gjykata vendosi ta veçojë procedurën ndaj Sveçlës nga ajo e të pandehurve të tjerë.