BALLKAN, 2 September 2026, 11:08

"Miq të mëdhenj të Amerikës"/ Grenell në krah të 6 deputetëve të LDK, që kundërshtojnë kandidaturën e Sejdiut për President

Ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka reaguar sërish për zhvillimet politike në Kosovë, këtë herë duke dalë hapur në mbështetje të gjashtë deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që kanë refuzuar të votojnë Bekim Sejdiun për president.

Në një postim në rrjetin X, Grenell publikoi një fotografi të Avdullah Hotit, Hykmete Bajramit, Arben Gashit, Armend Zemajt, Kujtim Shalës dhe Janina Ymerit, duke i cilësuar ata si "miq të mëdhenj të Amerikës".

"Miku im Avdullah Hoti dhe kolegët e tij janë miq të mëdhenj të Amerikës", shkroi Grenell.
Reagimi vjen në kulmin e përplasjes brenda LDK-së, pasi gjashtë deputetët deklaruan se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Bekim Sejdiut për president, duke vënë në vështirësi marrëveshjen e arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së.

Ndër deputetët që kanë dalë kundër kandidaturës së Sejdiut është edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti. Ai argumentoi se presidenti duhet të jetë një figurë unifikuese dhe se, sipas tij, kjo kandidaturë nuk përfaqëson parimet dhe interesat politike të LDK-së.

Hoti drejtoi Qeverinë e Kosovës që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2020. Në atë çështje, Bekim Sejdiu ishte gjyqtar raportues.

Ky nuk është qëndrimi i parë kritik i Grenellit për zhvillimet politike në Kosovë. Vetëm pak javë më parë, ai ia atribuoi Albin Kurtit përgjegjësinë për krizën politike në vend, duke deklaruar se kryeministri në detyrë "nuk di si të qeverisë" dhe se ka dështuar në luftën kundër korrupsionit.

Në të njëjtën deklaratë, Grenell u shpreh edhe për ish-presidentin Hashim Thaçi, duke thënë se Perëndimi dëshiron ta shohë të lirë dhe të rikthyer në Kosovë për të kontribuar në udhëheqjen e vendit.