AKTUALITET, 1 September 2026, 22:16

Protesta e 94-të/ Rreth 10 persona të shoqëruar pas tensioneve dhe përplasjeve te Kryeministria, protestuesit marshojnë drejt Komisariatit nr. 1: Lironi çunat, lironi gocat

Protestuesit kanë nisur marshimin në rrugët e kryeqytetit, me destinacion Komisariatin nr. 1.

Protesta u shoqërua me tensione dhe përplasje para Kryeministrisë, ndërsa u raportua edhe për rreth 10 persona të shoqëruar nga Policia.

Pas bllokimit të hyrjes së Kryeministrisë për rreth dy orë, protestuesit janë larguar nga godina dhe vijojnë tashmë marshimin në rrugët e Tiranës.

Sipas informacioneve të para, një pjesë e protestuesve janë drejtuar në këmbë drejt Komisariatit nr. 1, ku synojnë të kërkojnë lirimin e personave të shoqëruar gjatë protestës.

Gjatë përplasjeve, efektivët e Policisë ndërhynë pas paralajmërimeve përmes megafonit, ndërsa u përdor edhe gaz lotsjellës.

Protesta e sotme u zhvillua në dy fronte. Një grup protestuesish qëndroi përpara Kryeministrisë, ku vijuan fjalimet, ndërsa një grup tjetër u pozicionua pranë hyrjeve të pasme të godinës.

Gjatë marshimit në rrugët e kryeqytetit, protestuesit kanë vijuar me thirrjet “Nuk jeni vetëm” dhe “Lironi çunat, lironi gocat”, duke kërkuar lirimin e personave të shoqëruar gjatë protestës.