AKTUALITET, 1 September 2026, 22:07

Rreth 2 orë i bllokuar nga protestuesit në Kryeministri, Rama largohet nga zyra nën masa të rrepta sigurie (Video)

Pas rreth dy orësh i bllokuar në zyrën e tij, pasi protestuesit bllokuan hyrjet e Kryeministrisë, kryeministri Edi Rama është larguar nga godina nën masa të rrepta sigurie.

Largimi i kreut të qeverisë është bërë në momentin kur protestuesit kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës, duke shfrytëzuar zhvendosjen e tyre nga Kryeministria.

Protesta e sotme, e 94-ta, u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit. Qytetarët tentuan të bllokonin hyrjet e Kryeministrisë, ndërsa Policia ndërhyri për t'i larguar nga godina.

Në zonën e protestës u angazhuan forca të shumta policie, përfshirë efektivë të FNSH-së dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”, si dhe një autobot uji. Gjatë përplasjeve pati edhe persona të shoqëruar nga Policia.

Protestuesit vijuan të kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë, ndërsa e cilësuan bllokimin e hyrjeve të Kryeministrisë si pjesë të aksionit të tyre të mosbindjes civile.