LIFESTYLE, 17 Shtator 2025, 18:33

Stilistët analizojnë veshjen e Zonjës së Parë të SHBA në Londër

Stilistët analizojnë veshjen e Zonjës së Parë të

Si një mjet komunikimi stili, Melania Trump përdor kapelat e saj. Në Londër, ku shoqëron bashkëshortin në vizitën zyrtare, kapelja e saj e purpurt mbetet objekt analizash nga ekspertët e “diplomacisë së stilit”, ashtu siç kishte ndodhur pak muaj më parë me kapelën e zezë, serioze, që kishte veshur gjatë inaugurimit të Presidentit Amerikan.

Sipas tyre, Melania përdor kapelat si vegla të fuqishme të komunikimit stilistik, duke kombinuar elegancën, një deklaratë politike dhe duke shënuar personalitetin e saj unik. Kështu, zgjedhjet e saj nuk janë aspak rastësore.

Gjatë vizitës zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar, Melania zgjodhi një kostum gri Dior Haute Couture me qafë të lartë dhe brez, të kombinuar me kapelën purpur të bërë prej lëkure leshi.

Kjo kapelë, që krijonte një kontrast të fortë me veshjen e thjeshtë njëngjyrëshe, u bë pika kryesore e paraqitjes së saj mbresëlënëse. Përdorimi i markave britanike dhe evropiane, si Burberry dhe Dior, tregon respekt për modën lokale dhe forcon imazhin e saj diplomatik.

Sipas Vogue, stili i Melanias përputhej me atë të Kate Middleton, e cila kishte zgjedhur një fustan-pallto bordojë nga Emilia Wickstead, një kapelë nga marka britanike Jane Taylor dhe një çantë Chanel me dorezë.

Kapelja e Melanias ishte në harmoni edhe me ngjyrën e kravatës së bashkëshortit të saj.

Në inaugurimin e Donald Trump në janar 2025, Melania kishte zgjedhur një kapelë blu të errët, boater me brim të gjerë, dizenjuar nga Eric Javits.

Kjo kapelë, që i hidhte hijen në fytyrë, transmetonte një ndjesi distancimi dhe serioziteti, shkruante Guardian, duke e larguar nga imazhi tradicional i Zonjës së Parë si figurë mikpritëse dhe e afërt.

Zgjedhja interpretohej si një deklaratë fuqie dhe kontrolli, duke forcuar imazhin e bashkëshortit të saj si një lider i fortë.

Kapelat e Melania Trump funksionojnë si simbole që forcojnë imazhin e saj politik dhe personal.

Qoftë për distancimin gjatë inaugurimit, qoftë për elegancën diplomatike në Londër, zgjedhjet e saj tregojnë aftësinë për të përdorur modën si një mjet komunikimi dhe strategjie.