LIFESTYLE, 2 Tetor 2022, 10:44

Sa shpesh duhen ndërruar peshqirët dhe çarçafët

Sa shpesh duhen ndërruar peshqirët dhe çarçafët

Peshqirët, çarçafët dhe ndërresat e tjera të shtëpisë mund të duken të bardha e të pastra pas çdo përdorimi, por kjo nuk do të thotë se ato janë ashtu me të vërtetë.

E vërteta, sipas ekspertëve, është që këto ndërresa fshehin dhe strehojnë një larmi bakteresh të rrezikshme për lëkurën dhe larja e vetme në javë nuk mjafton.

Bakteret shumohen në ndërresat tona me një ritëm shumë të shpejtë.

Peshqirët për shembull janë ndërresat më të ndotura në banjë sepse kjo zonë e shtëpisë është streha më e dashur për bakteret.

Këto të fundit janë përgjegjëse jo vetëm për aknet por edhe infeksionet e ndryshme të lëkurës.

Peshqirët që përdoren pas dushit të përditshëm mund të përdoren deri në tre herë.

Më pas ato duhen larë patjetër.

Peshqirët që përdoren për tharjen e duarve duhen ndërruar një herë në dy ditë maksimumi.

Banja duhet larë me themele dy herë në javë.

Pjesa e dushit dhe ajo e brendshme e WC-së duhen pastruar një herë në javë nëse nuk kanë njolla të dukshme.

Ekspertët thonë se njeriu djersin ndjeshëm më shumë gjatë stinës së verës.

Djersa bashkë me qelizat e vdekura akumulohen në çarçafë dhe në këllëfët e jastekëve duke krijuar një rezervuar bakteresh.

Të dhënat e ekspertëve tregojnë se çdo javë njeriu lëshon 14 gramë qeliza të vdekura, pjesa më e madhe e të cilave ndodhet në çarçafë.

Çarçafët në verë duhen ndërruar minimalisht një herë në javë, ndërsa këllëfët e jastekëve duhen ndërruar një herë në dy ose tre ditë maksimumi.

Ato duhen larë me një temperaturë prej 60 gradësh.

Vetë jastëkët duhen larë dy herë në vit dhe duhen shpëlarë bollshëm që mos të mbajnë gjurmë detergjenti i cili më pas mund të nxisë problemet me frymëmarrjen. /AgroWeb.org