AKTUALITET, 29 Dhjetor 2017, 13:13

Lëvizja e radhës e kryeprokurores/ Shkarkohet Petrit Fusha, kreu i prokurorisë së Tiranës

Lëvizja e radhës e kryeprokurores/ Shkarkohet Petrit Fusha, kreu i

Pas shkarkimit të prokurores Rovena Gashi, e cila ishte në krye të Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, kryeprokurorja Arta Marku ka bërë ndryshimin e dytë në institucionin që drejton.

“News 24” raporton se ajo ka hequr nga detyra që mbante kryeprokurorin e Tiranës, Petrit Fusha. Ai ishte caktuar në krye te prokurorisë së Tiranës nga ish kryeprokurori Llalla, kohë më parë ndërsa do të mbahet mend si prokurori që mbylli disa dosje për Erion Veliaj, si dhe për koncesionet e Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, apo atij të Energjitikës, Damian Gjiknuri.

Në vend të Fushës është emëruar Dritan Rreshka, i cili njihet edhe si ish-prokuror i çështjes “CEZ-DIA”.

Në vitin 2012, Rreshka e mbylli këtë dosje për “mungesë provash”, ndërsa në vitin 2015 ai u emërua në krye të njësisë antikorrupsion. Kohët e fundit, emri i Dritan Rreshkës është përmendur për postin e SPAK që do të ngrihet së shpejti.

Ndërkohë Rreshka ka spikatur në shumë çështja hetimore kryesisht të kontrabandës me naftën virgin dhe abuzimet me rimbulsimin e TVSH-së së bizneseve. Gjatë ditës së sotme Rreshka është prezantuar dhe nga kryeprokurorja Marku, ndërkohë kjo e fundit ka shkarkuar Rovena Gashin dhe në vend të saj ka emëruar prokurorin Arqile Koça. Po ashtu Marku ka emëruar shefe kabineti në Prokurorinë e Përgjithshme prokuroren Alketa Zilfia.

Biografia e Dritan Rreshkës

Dritan Rreshka është diplomuar në drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 2001. Në në vitin 2012 ka përfunduar studimet Master në të Drejtë Penale në po të njëjtin universitet. Në periudhën 2001- 2004 ka ndjekur studimet në Shkollën e Magjistraturës duke marrë titullin “Magjistrat Prokuror”.

Pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës, në periudhën 2003 – 2009 ka ushtruar funksionin e Prokurorit pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në qershor të vitit 2009 është emëruar Drejtues i Njësisë së Përbashkët Hetimore për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar dhe Korrupsionit pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, detyrë të cilën e ka kryer deri në muajin shkurt 2010.

Në muajin Mars 2010 është emëruar Drejtues i Njësisë së Përbashkët Hetimore për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar dhe Korrupsionit pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, funksion të cilin e ka ushtruar deri në janar të vitit 2013.

Prej muajit janar të këtij viti ai është zëvendës drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Prej disa vitesh është ekspert i Shkollës së Magjistraturës për trajnimin vazhdues të gjyqtarëve dhe prokurorëve për çështjet e që lidhen me pastrimin e parave.

Është çertifikuar nga Instituti Kombëtar i Mbrojtjes Gjyqësore, në Departamentin e Drejtësisë SHBA si trajner për aftësitë e prezantimit të çështjes në gjyq, duke marre pjesë me cilësinë e ekspertit në trajnimin e studentëve magjistratë për sa i përket kësaj fushe. Ka kontribuar në hartimin e tekstit “Manual për hetimin e krimit financiar” botuar në vitin 2010 me mbështetjen e projektit OPDAT, Departamenti i Drejtësisë Amerikane.

/TPZ.AL/