TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në intervistën për “Revistën Mapo”ambasadori përcjell mesazhe të forta mbi çështjet që shënjojnë mandatin e tij në Shqipëri, si: debati për largimin e Adriatik Llallës, raportet e tensionuara me opozitën, qëndrimet për qeverinë apo çështjen “Tahiri”. Ai mbetet optimist për zbatimin e plotë të reformës në gjyqësor, por edhe paralajmëron shqiptarët , se “politikanët në përgjithësi nuk e duan këtë reformë”
Kanë kaluar vetëm katër muaj nga qeveria “Rama 2,” por ngjan sikur është në fund të mandatit për nga konsumimi. Çështje të tilla si implikimi i ish-ministrit të Brendshëm me grupin Habilaj, ngjarja e Elbasanit apo përhapja eksponenciale e panjohur më parë e kultivimit të kanabisit gjatë 2016 e kanë vënë fort në dyshim legjitimitetin e saj. Në gjykimin tuaj, sa serioze janë akuzat për implikim të qeverisë me krimin e organizuar? A ka qenë ambasadori Lu më i butë se ç’do duhej me mazhorancën?
Edi Rama ankohet fort se sa i padrejtë kam qenë ndaj tij dhe socialistëve, por e bën këtë privatisht. Opozitës i pëlqen të tregojë publikisht se disa herë janë të pakënaqur me pozicionet e Qeverisë së SHBA. Është e drejta e tyre. Akuzat specifike kundër Saimir Tahirit janë shumë serioze dhe meritojnë një hetim tërësor dhe, nëse provohen, ndjekje penale të shpejtë. Kemi nxitur Prokuroren e Përgjithshme të përkohshme dhe kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda që ta çojnë këtë çështje përpara pa anshmëri politike apo si përgjigje të presionit politik.
Qëndrimet tuaja të forta për lidhjet e politikanëve me krimin, për nevojën për dekriminalizimin apo për familjet e krimit të organizuar në Shqipëri e kanë bërë këtë një çështje të rëndësishme diskutimi në vend. Por përtej deklaratave, a shihni vullnet apo aksione konkrete për prerjen e këtyre fijeve?
Shqiptarët duhet të jenë të lumtur që numri i kriminelëve sot në parlament dhe në zyrat bashkiake është mjaft më i ulët se sa në vitin 2013 apo 2015. Por për fat të keq, kriminelë të dënuar vazhdojnë ende në pozicione të zgjedhura në Shqipëri. I bëjmë thirrje KQZ-së, zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm dhe Komisionit të Kuvendit për Mandatet që të zbatojnë plotësisht Ligjin për Dekriminalizimin. Kriminelët nuk kanë vend në përfaqësimin e popullit shqiptar.
Për shqiptarët, ju jeni një aktor shumë i rëndësishëm i vendimmarrjes, ndoshta shumë herë më i rëndësishëm se sa një ambasador do të ndihej në çdo vend tjetër të krahasueshëm. Por si është Shqipëria dhe shqiptarët në optikën e Z. Lu? Cilat janë ndryshimet thelbësore që duhen bërë për një progres real të vendit?
Familja ime dhe unë nuk kemi vizituar kurrë një vend më të bukur dhe më miqësor se ky. Populli shqiptar është i famshëm kudo në botë për mikpritjen. Presim me kënaqësi të kthehemi në Shqipëri pas 10 vjetësh kur të gjithë qytetarët të jenë qytetarë me të drejta të plota të Bashkimit Europian, të aftë të punojnë, jetojnë dhe studiojnë kudo në BE. Për ta bërë këtë, Shqipëria duhet të punojë me BE-në për reformat kyçe që kërkohen për anëtarësim. Për ta bërë këtë, do të keni mbështetjen tonë të plotë.