AKTUALITET, 15 Mars 2018, 12:52

Letër Arta Markut për Gërdecin, Zamira Durda: PS, si PD e quan aksident teknologjik!

Letër Arta Markut për Gërdecin, Zamira Durda: PS, si PD e quan

10 vjet pas tragjedisë së Gërdecit, shpresat për dënimin e përgjegjësve të tragjedisë së Gërdecit ku mbetën të vrarë 26 vetë janë pakësuar për familjarët e viktimave, por duket se ende nuk janë shuar plotësisht. Në zyrën e Arta Markut ka një letër të familjarëve të viktimave. Letra është shkruar në 15-16 shkurt tregoi Zamira Durda, që nga shpërthimi i Gërdecit humbi djalin e saj 7 vjeçar, Edisonin. Në një intervistë për Report Tv, gruaja thotë se qëllimi i letrës ishte frika se pas 10 vitesh, krimi do të parashkruhej.

“Ta rihapë edhe një herë çështjen e Gërdecit sepse Gërdeci ka shumë gjëra të pa hetuara. Nuk u hetua si vepër korrupsioni. Nuk është mbyllur procesi ashtu siç ishte, me ato prova e kam kërkuar por Ish Ministrin dhe në shkallën e parë që janë 29 të pandehurit e tjerë dhe që mbarojnë në Apel me pranimin e gjykimit të shkurtuar, të gjitha këto vendime ishin qesharake. Ne nuk kemi qenë asnjëherë dakord. Pas 5 vjetësh në betejë të gjatë që të pranohet në Gjykatën e Apelit gjykimi i shkurtuar e t’ju ulet 1/3 e dënimit automatikisht, kjo ishte vrasje. Ne na kanë vrarë disa herë institucionet shtetërore sepse tani palë dhe bashkëfajtorë janë bërë shumë. Ata që organizuan Gërdecin, ata që e jetuan dhe ata që u ndikuan” thotë Zamira Durda.

Gjatë intervistës, Durda tregoi se si në kohën e Partisë Demokratike, ashtu edhe gjatë qeverisjes së socialistëve u përball me të njëjtin qëndrim nga shteti: shpërthimi i Gërdecit ishte aksident teknologjik, jo krim shtetëror.

Zamira Durda: Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur, sepse janë të njëjtët avokatë që përfaqësojnë këto institucione, gjatë kësaj periudhe që kemi qenë, nuk është se kanë ndryshuar zyrat juridike të këtyre institucioneve, janë të njëjtët persona. Si në krahun e qeverisjes së PD edhe të PS.

Report TV: Pra, e konsiderojnë aksident teknologjik?

Zamira Durda: Po, të njëjtin qëndrim kanë mbajtur.