AKTUALITET, 18 Dhjetor 2017, 11:53

Arta Marku betohet si kryeprokurore, mes kaosit dhe përplasjeve

Arta Marku, ka bërë betimin si kryeprokurore e re e vendit. Gjatë betimit të Markut, në Kuvend ka patur një situatë mjaft të tensionuar. Partia Demokratike ka hedhur tymuese të shumta, por kjo nuk e ka penguar Arta Markun të bëjë betimin.

Marku është shfaqur në krah të kryetarit të parlamentit, Gramoz Ruçi. Pasi ky i fundit lexoi formulën e betimit, Marku është dëgjuar të thotë "betohem", mes thirrjeve të shumta të opozitës. Pas betimit, kryeprokurorja e re është larguar menjëherë.

Më herët tre grupet parlamentare kërkuan që Kuvendi të hiqte dorë nga zgjedhja e njëanshme e kryeprokurorit.

Disa herë seanca u ndërpre nga Ruçi me qëllim që ajo të qetësohej por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Kush është Arta Marku? 

Arta Marku, është 41-vjeç dhe ka lindur në Pukë. Para se të zgjidhej  kryeprokurore, Marku ka qenë prokurore në rrethin e Shkodrës.

Marku ka mbarur studimet në vitin 1999, ndërsa Magjistraturën në vitin 2001 dhe ka një eksperiencë prej 15 vitesh si zv/prokurore e këtij rrethi.

Marku përgjatë karrierës së saj 15-vjeçare në Prokurorinë e Shkodrës, nuk ka hetuar asnjë dosje të bujshme.

Ndërkohë që në media ka qarkulluar lajmi se 41-vjeçarja është propozim i kreut të Komisionit të Ligjeve dhe deputetit të PS, Ulsi Manja. Ky i fundit e ka mohuar diçka të tillë. Megjithatë është e qartë se kryeprokurorja me një karrierë jo shumë të spikatur, ështe piketuar nga eksponentë të mazhorancës.

/TPZ.AL/