TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Fundjava që lamë pas, ka qenë koha më e lumtur, e aktorit të humorit, Gaz Paja.
Ka qenë Lali Eri ai që ka realizuar gjithë këtë gëzim dhe hare të tij. Si dëshmitare e kësaj hareje të papërshkrueshme, ka shërbyer tarraca e Bashkisë, ku Lali Eri ka realizuar të gjithë ritualin martesor, të Gazit dhe gruas së tij.
Në fund të këtij ceremoniali, të shumëpritur nga i gjithë populli shqiptar, Erion Veliaj, i ka dhënë aktorit Gaz Paja, si vëllai vëllait, katër këshilla të rëndësishme që duhet t'i mbajë parasysh gjithë jetën e vet.
Ja këshillat:
1-Fjalët kyç në një martesë afatgjate janë katër: Ke t'drejtë, faji im!
2- Asnjëherë mos qesh me zgjedhjet e gruas tënde - se ti je një prej tyre!
3 - Mos harro kurrë, 1 Qershori s'është festa e femijëve, është përvjetori yt i martesës!
Bëhemi me dije, se ka patur edhe një këshillë të katërt, që nuk është bërë publike, por Lali Eri ia ka thënë Gazit tek veshi. Këshilla ka zgjatur rreth dy minuta dhe është pak a shumë, këshilla që Edi Rama i ka dhënë Lali Erit, kur ai ishte drejtori i Mjaftit, se si të bëhej i suksesshëm, pasi ishte bërë mashtrues. Nga të katër këshillat, që Gazi mori, tre të parat i hynë nga njëri vesh dhe i dolën nga tjetri. Ndërsa këshilla e fundit sekrete, i mbeti si vath në vesh.
Pas ceremonisë së madhërishme, në tarracën e Bashkisë, ishte këngëtarja shumë e njohur për gafërinë e saj veçanërisht me gjuhën angleze, Eneida Tarifa, e cila, kur lexoi këshillat e Lali Erit për Gazin dhe pasi u konsultua edhe me ndihmësen e saj, Dhuratën, e ekzaltuar, lëshoi këtë deklaratë bombë: "Sikur të kishte bërë nëna 3-4 si Erion Veliaj, nuk do dinim ku do ishim".
Se çfarë do të ndodhte, nëse nëna e Lali Erit, do të kishte bërë katër Lali të vegjël dhe ç'do t'i ndodhte Tiranës kur ata të rriteshin, ne do t'jua shpjegojmë nesër.
/TPZ.al/ Tej e këtej/