TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Grupi i posaçëm i punës, i ngritur me propozim të kryetarit Lulzim Basha dhe miratim të kryesisë së PD-së, i paracaktuar për mbledhjen e propozimeve për ndryshimet në statutin e partisë dhe riorganizimin e saj, pritet të mbyllë punën brenda tri ditëve. Ky grup pune do të përfundojë mbledhjen e propozimeve brenda datës 22 mars, ku më pas ngarkohet departamenti ligjor për shqyrti-min e tyre.
Deri në 22 mars grupi i punës pret propozimet nga çdo anëtar për ndryshimin e statutit të PD-së. Kurse më 25 mars krerët e degëve duhet të sjellin listën e delegatëve për Kuvendin Kombëtar, që do të mbahet në datat 28-29 prill. Kryesia e PD-së në mbledhjen e fundit mandatoi dy nënkryetarët, Paloka dhe Spaho, sekretarin e përgjithshëm Ristani, sekretarin organizativ Enno Bozdo dhe sekretarin për burimet njerëzore Kadilli, që të vendosin kontakte dhe të mirëpresin çdo propozim për ndryshimin e statutit të Partisë Demokratike, si pika e nisjes për bashkimin e kësaj force politike. Një grup anëtarësh kërkonjnë ringritjen e partisë dhe sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani shprehet se po punohet që të përfshihen idetë e të gjithëve, me qëllim bashkimin kundrejt qeverisë. Ristani ka konfirmuar se është takuar me Ridvan Boden, por edhe me kritikë të tjerë të Bashës, propozues të platformës për ringritjen e PD-së dhe projekt-statutin. Pikërisht pjesë e këtyre propozimeve janë Platforma për ringritjen e PD-së, që mban firmëtarë disa figura të vjetra të partisë si Astrit Patozi dhe Ridvan Bode si dhe projektstatuti që mban firmën e anëtarëve të Këshillit Kombëtar Edith Harxhi dhe Edvin Kulluri prej nëntorit 2017, kur PD ishte ende në proces analize. Sa i përket kësaj të fundit.
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka është shprehur se në këto ditë pune deri më tani të grupit të ngritur për mbledhjen e propozimeve për statutin e partisë demokratike, rol kanë luajtur edhe raportet e analizës së degëve, të cilat mbartin propozime të ndryshme për riorganizimin e partisë. “Gjatë procesit të analizës dhe në raportet e përgatitura nga degët, kanë ardhur dhe propozime që kanë të bëjnë me ri organizimin, jo direkt për propozime, por ide për ndryshimet në statusin e PD-së, për mënyrën e funksionimit të PD-së në të ardhmen. Të gjitha këto do të merren, do të përkthehen edhe në ndryshime në statut dhe do të shqyrtohen jo nga grupi i punës, por nga juristët e PD, të cilët do të na sjellin projektin konkret të ndryshimeve statutore apo ndryshimeve të tjera që kërkohen”, tha z.Paloka. Pjesë e procesit të analizës dhe konsulencës ka qenë edhe verifikimi i anëtarësisë në çdo njësi organizative të PD-së. Verifikimi është kryer paralelisht me analizën dhe i gjithë procesi është koordinuar nga sekretari organizativ i partisë z.Enno Bozdo. Ky verifikim ka ndodhur në pjesën dërmuese të degëve dhe pritet të mbyllet brenda dy javësh. Një porosi specifike e z.Bashas në mbledhjen e kryesisë ishte që drejtuesit në bazë nuk duhet të lënë jashtë vëmendjes takimet me qytetarët. PD synon që të gjithë procesin e ristrukturimit të saj në bazë dhe në degë ta përmbyllë deri në fund të qershorit, për t’u bërë gati për zgjedhjet vendore të vitit 2019.