AKTUALITET, 19 Mars 2018, 11:48

Koço Kokëdhima: Çmimi për t’u bërë deputet i PS-së, nga 200 deri në 300 mijë euro

Koço Kokëdhima: Çmimi për t’u bërë

Ish miku  dhe bashkëpunëtori i ngushtë i kryeministrit Edi Rama,  Koço Kokëdhima, ka bërë një denoncim mjaft të rëndë.

Kokëdhima ka treguar mënyrën se si mund të bëhesh deputet i Partisë Socialiste duke paguar para tek kryetari.

Sipas Kokëdhimës, e njëjta skemë funksionon edhe nëse dëshiron të bëhesh kryetar bashkie, por çmimi duket më i lartë dhe arrin deri në 500 mijë euro. Kokëdhima thotë se përjashtim bën Bashkia e Tiranës, ku fitimi nga kryetarët e partive dhe kandidati shkon në mbi 30 milionë euro.

“Për të vënë kandidaturën për deputet në partitë e vjetra duhet të paguash kryetarët, sekserët dhe ortakët e tyre që mund të jenë sekretarë të përgjithshëm, nënkryetarë, kryetarë grupi, ministra apo ish-ministra etj, me shuma nga 200 deri në 300 mijë euro. Dëshiron të vësh kandidaturën për kryetar bashkie? Duhet të paguash si më sipër kryetarët e partive të vjetra nga 200 mijë deri në 500 mijë euro. Bashkia e Tiranës ka situatë tjetër. Fondet që mblidhen ilegalisht dhe nëpër xhepa nga kryetarët e partive të vjetra dhe kandidatët për kryetar bashkie në Tiranë shkojnë në mbi 30 milionë euro. Fiton apo i humbet zgjedhjet partia, kryetarët fitojnë gjithmonë miliarda lekë”, shkruan kreu i Zgjidhja.

Kokëdhima ka qenë deputet i PS-së, por edhe mik i afërt i kryeministrit Rama, prandaj deklaratat e tij, duhet të merren seriozisht. Nëse ato janë të vërteta, kemi të bëjmë me një skandal me përmasa shumë të mëdha.

Kokëdhima flet edhe për paratë që harxhohen për të lobuar jashtë vendit, kryesisht për të bërë fotografi me presidentin e SHBA-së.

“Është bërë “normale” tashmë që kryetarët e partive të vjetra shqiptare paguajnë qindra-mijëra dollarë për një foto me Barack Obama-n apo Donald Trump-in. Kërkojnë të blejnë nga pak nder! Duan t’u hedhin hi syve njerëzve, të dëshmojnë se janë shumë më të rëndësishëm se sa i vlerësojmë ne në këtë provincën tonë. Duan të manipulojnë veçanërisht militantët fanatikë të partive të vjetra që këta të fundit të turren me thika në gojë dhe të shqyejnë zgjedhjet dhe shtetin për t’i dhënë pushtet kryetarit të tyre të pander që do të sundojë në katër vitet që do vijnë! Paratë e kryetarëve të partive të vjetra janë para droge e kriminelësh. Ja pse shumë kriminelë i shohim në parlament, disa të tjerë fitojnë tenderat e qeverisë dhe të tjetër akoma emërojnë drejtorët e shtetit. Drejtorët mbledhin para gjatë ditës duke grabitur popullin, në mbrëmje i ndajnë me kryetarët e partive dhe padronët e tyre kriminelë. Për të punuar me fondet publike e përfituar koncesione duhet të paguash kryetarët e partive të vjetra me shuma marramendëse e pjesë të biznesit që shkojnë nga 20 deri në 50 për qind të kontratës apo të kapitalit”, shkruan Kokëdhima.

/TPZ.AL/